
Një shtetas, i cili ndodhet në paraburgimin e Drenovës, para disa ditësh është dërguar në spitalin e Korçës për të marrë ndihmë mjekësore, pasi kishte konsumuar një sasi ilaçesh, ku dyshohet se ka tentuar të kryejë vetëvrasje. Bëhet fjalë për shtetasin Amarildo Hajdini, i arrestuar për vjedhje.
Pas kurimit, ai është dërguar sërish në qeli dhe gjatë kontrollit nga policia e burgjeve i është gjetur një bisturi, të cilën dyshohet se e ka vjedhur në spital.
Dyshimet janë se ai ka tentuar ta futë bisturinë në qeli për të tentuar sërish vetëvrasjen, por këtë herë me armë të ftohtë.
Shtetasi Amarildo Hajdini është futur në regjim për shkak të thyerjes se sigurisë. Mësohet se ai do të procedohet për nenin 324/a të kodit penal për futjen e sendeve të paligjshme në institucionet e vuajtjes së dënimit.