Çfarë ndodhi në Kryesinë e PS: Si gjenerali “mundi” Dvoranin, Ina Ramën dhe Majlinda Bregun

3 June 2022, 21:21Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Çfarë ndodhi në Kryesinë e PS: Si gjenerali
Si gjenerali “mund” Dvoranin, Ina Ramën dhe Majlinda Bregun

Emri i Bajram Begës si kandidat për president befasoi sot Tiranën politike. Ashtu siç shkruan me ironi edhe gazetari Lutfi Dervishi se “kryeministri këtë proces e mbajti në heshtje deri në sekondën e fundit. Dhe edhe vetë i zoti punës e mori vesh i fundit bashkë me publikun. Heshtja më shumë se ndaj opinionit publik duket se ishte ndaj "oligarkëve" dhe "opinionistëve" që këtë radhë dolën jashtë loje me parashikimet dhe të ndjerit që gjërat e rëndësishme në këtë vend i vendosim ne!”.

Kryeministri Edi Rama tha se Begajt është zgjedhur mes 26 emrave që janë diskutuar në Kryesinë e PS-së. “Në listën e fundit ishin 6 emra, 3 gra dhe 3 burra”, tha Rama duke iu përgjigjur pyetjes se përse nuk pati një kandidate për President.

Ndërkohë, mësohet se emrat më të fortë për të qenë kandidat për president ishin edhe Ardian Dvorani, Ina Rama dhe Majlinda Bregu. Mësohet se Dvorani ka qenë shumë afër përzgjedhjes, por argumenti kryesor kundër tij ishte se ka kaluar gjithë kualifikimet për sistemin e drejtësisë dhe i duhet sistemit. I njëjti argument u përdor dhe për ish-kryeprokuroren Ina Rama. Edhe Majlinda Bregu ishte mjaft e mbështetur, por gjithashtu ka pasur edhe kundërshtime të mëdha. Mësohet se një tjetër emër që u propozua ishte dhe historiania Nevila Nika.

Të gjithë folën me respekt dhe bindje Bajram Begaj u favorizua sepse është një ndër emrat e preferuar nga Uashingtoni, ndërsa brenda grupit parlamentar socialist nuk pati ndonjë kundërshtar për emrin e tij, ndërsa u ra dakord se kandidatura e tij ishte e duhura për postin e Presidentit të Republikës.

Begaj do të bëhet presidenti i tretë që vjen nga radhët e ushtrisë.

55-vjeçari i lindur në Rrogozhinë ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë. Më pas i hyri karrierës ushtarake dhe mban gradën “Gjeneral Major” të cilën e mori nga Presidenti Ilir Meta në korrik të vitit 2020.

Përpara tij, president me karrierë ushtarake ishte i ndjeri Bujar Nishani. Ai u zgjodh president në vitin 2012 dhe shërbeu përgjatë një mandati deri në vitin 2017.

Në këtë post erdhi nga një karrierë akademike pranë Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe angazhimit disa vjeçar në Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë në dekadën e parë të tranzicionit demokratik. Ai kishte mbajtur më herët pozitën e ministrit të Brendshëm dhe atë të ministrit të Drejtësisë.

I pari president ushtarak ishte Alfred Moisiu i zgjedhur në 2002. I biri i Spiro Moisiut pati një karrierë të gjatë në ushtri, nga instruktor në Akademinë Ushtarake “Skënderbej”, oficer, komandant, zëvendësministër i Mbrojtjes dhe ministër i Mbrojtjes. Këtë funksion Moisiu e ushtroi deri më 24 korrik 2007, kur kreun e shtetit e mori presidenti Bamir Topi.

Përpara tyre nga karrierë ushtarake por për shkak të rrethanave të luftës ishin Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha.


Video