
Gjeneralmajori Bajram Begaj është kandidati që Partia Socialiste do të propozojë në Kuvend për t’u zgjedhur Presidenti i ri i Shqipërisë.
E ndërsa një pjesë u suprizuan nga emri i tij, propozimi i emrit të Begajt nuk ka qenë vendim i orëve të fundit nga ana e kryeministrit Edi Rama. Më përpara, gjenerali Begaj ka kaluar në “filtrat” e Uashingtonit. Jo më larg se një javë më parë, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Shqipërisë, zhvilloi në Pentagon një takim me homologun e tij amerikan gjeneral Mark A. Milley
Pas takimit, Milley u shpreh se ka pasur një bisedë me Begajn, ndërsa shtoi se prej 100 vitesh dy vendet kanë ndarë një marrëdhënie të fortë diplomatike. Duke uruar që kjo marrëdhënie te jetë jetëgjatë, Milley shkruan se aleanca e NATO është më e fortë se kurrë.
Kjo ishte edhe vizita e parë e gjeneralmajor Bajram Begajt në Pentagon ku duket se ka marrë edhe “miratimin” amerikan për të qenë Presidenti i ri i Shqipërisë.
Pas takimit në Pentagon me Shefin e Shefave të Shtabit të Bashkuar të Ushtrisë amerikane, Mark Milley, gjenerali Begaj dha edhe një intervistë për Zërin e Amerikës, ku deklaroi ndër të tjera se Shtetet e Bashkuara kanë dhënë së fundmi 17 milionë dollarë për ushtrinë shqiptare, ndërsa theksoi se Shqipëria do të vazhdojë të luajë rolin e saj për stabilitetin në rajon.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.