Kryeministri Edi Rama tha se do ia komunikonte përmes telefonit vendimin e PS-së gjeneralit Bajram Begaj i cili u zgjodh nga PS që të jetë kandidat për President. Rama tha se sonte shpresonte që të kishte një takim me të. Ndërkohë, mësohet se telefonata është zhvilluar shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura ka pranuar propozimin e kryeministrit Edi Rama për të marrë postin e Presidentit të ri të vendit.
Ishte kryeministri Edi Rama i cili bëri me dije propozimin e Partisë Socialiste për të zgjedhur Bajram Begën si Presidentin e ri të vendi
“Shefi i Shtabit të Përgjithshëm është një nga kandidaturat brenda grupit parlamentar të PS. Nuk kam qenë ndër propozuesit e z.Begaj. Më vjen mirë që diskutimi i sotëm ishte tërësisht i hapur për debat me një frymë pozitive, gjë për të cilën kemi nevojë në mbledhjet tona. Do ta telefonoj dhe do të kem shpresoj një takim sonte me të. Ne do të zgjedhim Presidentin e Republikës së Shqipërisë në seancën e ardhshme me mandatin që na kanë dhënë shqiptarët. Fillimisht do të takohem me z.Begaj, pastaj do ta votojmë dhe pastaj do të fillojmë të punojmë së bashku secili në atë pjesë të frontit të përbashkët për Shqipërinë.
Ne sot kemi konsideruar me respekt një numër kandidaturash që kanë rezultuar të jenë në atë grupin e fundit dhe me shumë kujdes, kemi renditur të gjitha aspektet pozitive apo ato që mund të krijojnë diskutime dhe kemi arritur në konkluzion se Bajram Begaj është i duhuri për të qenë President i ardhshëm.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm është një nga profilet më të larta të një shteti. Ai që vinte nga ajo zonë e jetës që janë dhe Forcat e Armatosura, është President që do të mbahet mend shumë gjatë që është Alfred Moisiu. Moisiu tregoi se si duhet të jetë Presidenti i Shqipërisë, dhe ajo që erdhi pas tij ishte keq e më keq dhe në fund s’ka më keq“, deklaroi sot ndër të tjera Edi Rama.
Në vitin 2020 Bajram Begaj mori detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare. Ai më parë shërbeu si Komandant i Komandës së Trajnimit dhe Doktrinës, Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake, Drejtor i Inspektoratit Shëndetësor dhe Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Armatosur Shqiptare.