Gjykata e Strasburgut ka dhënë një vendim pro komunitetit rom dhe egjiptian, duke dalë në konkluzionin se qeveria shqiptare ka diskriminuar fëmijët e këtyre komuniteteve. Padia ishte bërë nga 5 gra të komuniteteve rome dhe egjiptiane kundër segregimit të shkollës 9 vjeçare “Naim Frashëri” në qytetin e Korçës.
Prej më shumë se 10 vitesh, në shkollën ‘Naim Frashër’, nxënësit e qytetit nuk regjistrohen më, duke lënë në këtë shkollë vetëm fëmijët romë dhe egjiptianë. Strasburgu e ka gjetur përgjegjëse qeverinë shqiptare pasi nuk ka zbatuar ligjin që fëmijët të regjistrohen në shkolla sipas lagjeve ku banojnë, duke preferuar shkolla të tjera dhe dukë lënë ‘Naim Frashërin’ vetëm për komunitetet e diskriminuara.
Vendimi është i formës së prerë dhe qeveria shqiptare duhet të dëmshpërblejë me nga 4500 euro secilën prej grave të komuniteteve rome dhe egjiptiane, ndërkohë që për të njëjtat problematika denoncime në zyrën e komisionerit kundër diskriminimit kanë shkuar nga Gjirokastra, Berati dhe Shkodra.