Janë identifikuar eshtrat e gjetura në 3 prill të këtij viti në Fushë-Kuqe të Kurbinit. Ashtu siç edhe dyshohej eshtrat i përkasin Mariglen Gjonajt, i cili rezultonte i zhdukur që nga 2015.
Historia
Nxënës i klasës së 10-të në Gjimnazin e Mamurrasit, kishte shkuar si çdo ditë tjetër në shkollë më 18 maj. Por ai nuk ishte kthyer në orarin e zakonshëm dhe as në darkë, ç’ka ka vënë në alarm familjen e tij. Një ditë më pas familja bëri denoncim në polici, por ndonëse kjo e fundit nisi hetimet, nuk gjeti asnjë të dhënë apo gjurmë të Mariglen Gjonajt.
Ditën që adoleshenti u largua nga banesa për në shkollë nuk kishte marrë as telefonin me vete. Nëna e tij, Luljana Gjonaj i bëri në atë kohë apel shtetit që ta ndihmonte për të gjetur të birin. “Djali është zgjuar në mëngjes dhe më tha se kishte aktivitet atë ditë shkolla e tij. Mori dhe makinën e vëllait të tij dhe doli. Më tha se do të vij shumë shpejt. Ka qenë data 18 maj kur ai është larguar dhe nuk është kthyer. Kërkuam gjithë natën, duke pyetur njerëzit tanë për të, por me asnjërin ai nuk kishte pasur kontakte dhe nuk e kishin parë. Te nesërmen kemi njoftuar menjëherë policinë dhe kemi bërë edhe denoncimin për humbjen e djalit”, u shpreh në atë kohë për mediat nëna e 16-vjeçarit.
Sipas saj, si fillim policia u vu në lëvizje, por nuk mundën që të bien në gjurmët e të birit dhe më pas dita ditës kjo çështje u harrua prej tyre.
“Djali kur është larguar ka pasur bizhuteri dhe një orë tepër të shtrenjtë në dorë Roleks të cilat kapnin një vlerë 10 milion lekë të vjetra. Unë dyshoj se djalin ma kanë rrëmbyer për ti marrë bizhuteritë. Kemi shkuar disa herë në polici, por mua më ka humbur besimi tek blutë e Kurbinit, pasi djali ka dy muaj i humbur dhe ne nuk e dimë nëse ai është gjallë apo vdekur”, deklaroi në atë kohë nëna e djalit.