
Një ditë më parë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky i kërkoi shtetit shqiptar të mbyllë kufijtë për turistët ukrainas. Lidhur me këtë kërkesë, ka folur për herë të parë kryeministri Edi Rama, i cili ka deklaruar se një vendim të tillë nuk e ka marrë ende Bashkimi Europian, nëse kjo e fundit merr një vendim të tillë, atëhere do ta marrë edhe Shqipëria.
“Vendimet tona jenë të linjëzuara me vendimet e BE, për sa kohë nuk ka një vendim të linjëzuar nga BE ne kemi vazhduar të njëjtën rrugë. Nëse do të ketë një vendim të linjëzuar ne do të ndjek të njëjtën rrugë.”, u shpreh Rama për gazetarët pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste.
Nesër mbahet Konferenca e Donatorëve në Varshavë, lidhur me ndihmat që do t’i ofrohen Ukrainës. Kryeministri Edi Rama bëri me dije se edhe Shqipëria do të ndihmojë me një shifër monetare, por pa specifikuar shifrën.
“Do jetë ndihmë monetare për Ukrainën”, tha Rama.
Lidhur me raportin e organizatës "Reporterët pa Kufij", e cili e zbirit Shqipërinë 20 vende më poshtë se vitin e kaluar për lirinë e shtypit, Rama tha se i beson vetëm raportit të BE ndërsa shtoi se nuk i duket shqetësuese situata e medias në Shqipëri pasi vitin e kaluar nuk është kërcënuar asnjë gazetar.
"Në asnjë vend të rajonit, mediat nuk e kanë lirinë që e kanë në Shqipëri. Për këtë nuk ka raport. Nuk ka top që e luan këtë pavarësisht se çfarë thonë raportet. Nëse dëshironi, mund të nis me raportin e BE ku një grup i tërë njerëzish punon për raportin bazuar në fakte e argumenta, jo mbi perceptime e axhenda.
Me të gjithë respektin, por në këto vite leximi kam mësuar të jem selektiv se një pjesë e këtyre raporteve nuk janë të besueshëm. Nuk shoh asnjë shqetësim për situatën e medias në Shqipëri, përveç se çdo ditë shtohen viktimat e abuzimeve, shpifjeve, fabrikimeve, bullizmit ndërsa vitin e kaluar nuk ka pasur asnjë gjyq ndaj asnjë gazetari, nuk ka pasur asnjë gazetar të kërcënuar. Kush bën raportet ka të dhëna të padeklaruara, do i lutesha të vinte në dispozicion këto të dhëna", tha Rama.
Ndërsa për reportazhet për krimin e organizuar, u shpreh se nuk i beson asgjëje që nuk ka fakte.
"Kam parë shumë nga këto reportazhe, por faktet kanë rëndësi për mua dhe këto i keni në të gjitha raportet e progreset të BE dhe nga ecuria e luftës me krimin, drogën. Liria e medias dhe reportazhet e lira janë një çështje që ka problematikën e vet kudo, edhe në Gjermani", tha Rama.