
Asambleja e PS-së që do të mbahet më 7 Maj, zgjedhjet e kryetarëve të degëve dhe procesi për zgjedhjen e Presidentit të ri. Këto kanë qenë temat e diskutimit në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Socialiste të zhvilluar pasditen e kësaj të mërkure.
Asambleja e PS do të mblidhet të shtunën në orën 10:00 për zbatimin e vendimeve që u morën në Kongresin e socialistëve të 9 prillit. Këto vendime kanë të bëjnë si me ndryshimet statutore ashtu dhe me ndërprerjen e mandatit të kryetarëve të degëve të PS-së, ndërprerje që do t’i hapë rrugë zgjedhjeve për kryetarë të rinj.
Pas mbledhjes së Kryesisë, kryeministri Edi Rama deklaroi se PS është e hapur për bisedime me opozitën në procesin për zgjedhjen e Presidentit
"Sot kemi diskutuar për procesin e hyrjes së zgjedhjeve në parti për kryetarët e të gjitha njësive dhe në Asamblenë Kombëtare do miratojmë dhe një sërë dokumentesh që sot janë miratuar në Kryesi, që burojnë nga detyrimet e Kongresit në funksion të të gjithë kuadrit.
Kanë filluar bisedimet zyrtare me palët e tjera të Shqipërisë në përpjkeje për të bërë një kandidaturë që kanë një konsensus. Nuk e di, nëse ka vullnet shanset janë shumë të mira, ne jemi të gatshëm që të jemi sa më të hapur, në funksion të zgjedhjet se një presidenti që të garantojë mbylljen me sukses të një kapitulli çmendurie në krye të shtetit”, tha Rama.
Mesditën e sotme zhvilloi mbledhje Konferenca e Kryetarëve, ku mazhoranca ra dakord me propozimin e kreut të grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj i cili kërkoi që data 10 maji të quhet si data e nisjes së procesit të zgjedhjes së Presidentit, ndërsa kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, u shpreh se data 16 maji, të jetë raundi i parë i votimit të Presidentit të Republikës.