Izraeli godet konsullatën iraniane në Siri, mediat e huaja: U vra gjenerali i lartë iranian i Gardës Revolucionare

1 Prill 2024, 18:58Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Sulmi pranë konsullatës iraniane në Siri

Një sulm izraelit ka shkatërruar ndërtesën e konsullatës iraniane në kryeqytetin e Sirisë, Damask, duke vrarë dhe plagosur disa njerëz, kanë raportuar autoritetet siriane.

Një komandant i lartë i Gardës Revolucionare, gjeneral brigade, Mohammad Reza Zahedi, është në mesin e të vdekurve, njoftoi media shtetërore iraniane menjëherë pas sulmit.

Nga pamjet në rrjetet sociale dallohet tym dhe pluhur që ngrihet nga ndërtesa shumëkatëshe, e cila ishte pranë ambasadës iraniane në një autostradë në rajonin perëndimor Mezzeh.

Ushtria izraelite tha se nuk i komenton raportet e mediave të huaja.

Ministria siriane e Mbrojtjes tha se avionët izraelitë shënjestruan ndërtesën e konsullatës nga Golani rreth orës 17:00 me orën lokale.

Mbrojtja ajrore siriane rrëzoi disa nga raketat që ata lëshuan, por raketa të tjera depërtuan dhe "shkatërruan të gjithë ndërtesën, duke vrarë dhe plagosur të gjithë brenda", shtoi ministria.

Ministria siriane tha se po punohet për gjetjen e trupave dhe shpëtimin e të plagosurve nën rrënoja, pa dhënë asnjë informacion për identitetin e tyre.

Televizioni shtetëror iranian raportoi se mes të vrarëve është gjenerali Zahedi, të cilin e identifikoi si një komandant të lartë të krahut të operacioneve jashtë shtetit të Gardës Revolucionare, Forca Quds. Disa diplomatë ishin midis të vdekurve, tha TV shtetëror iranian.

Agjencia iraniane e lajmeve Tasnim raporton se 63-vjeçari ishte "aktiv në Forcën Quds" nga viti 2008 deri në 2016 dhe shërbeu si komandant i Gardës Revolucionare në Siri dhe Liban.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, i cili mbështetet në një rrjet burimesh në terren në Siri, raportoi se tetë persona u vranë, një udhëheqës i rangut të lartë të Forcës Quds, dy këshilltarë iranianë dhe pesë anëtarë të Gardës Revolucionare.

Izraeli ka kryer qindra sulme ndaj objektivave të lidhura me Iranin në Siri gjatë viteve të fundit, por shumë rrallë i pranon sulmet.

Video