I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në urimin për festën e Pashkëve, ka përmendur edhe takimet që kishte javën e kaluar me kryenegociatorët në kuadër të dialogut.
Ai tha se nga takimi i kësaj jave që do të mbahet të enjten shpreson se Kosova dhe Serbia do të mund të kapërcejnë mosmarrëveshjet e mbetura.
“Konkluduam se do të nevojitet një takim tjetër. Të dy palët do të kthehen në Bruksel këtë javë dhe shpresoj se do të jemi në gjendje të kapërcejmë diferencën e mbetur të enjten”, ka shkruar Lajçak.
Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.
Kjo çështje zemëroi Serbinë dhe nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.
Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’u dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.