Si ndahet “torta” e milionave të Oksigjenit: Në Korçë fitoi MESSER, në Fier GTS merr 400 mijë euro!

8 Shkurt 2025, 16:59Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Si ndahet “torta” e milionave të Oksigjenit: Në Korçë fitoi MESSER, në Fier GTS merr 400 mijë euro!

Dy firma të mëdha, që kanë gllabëruar dhjetëra miliona euro nga oksigjeni mjekësor, vijojnë të “ndajnë” tortën e parave të akorduara nga spitalet dhe Ministria e Shëndetësisë.

Skema është e njëjtë për të gjitha procedurat; në spitalet që ka vendosur tanker firma MESSER, fiton gjithmonë kjo firmë. Në spitalet ku është vendosur depozita GTS, fiton kjo e fundit. Një skemë korruptive, e cila deri më tani nuk është goditur, por vijon dita-ditës të marrë çdo kacidhe të akorduar nga institucionet shtetërore.

VoxNews publikoi disa ditë më parë skemën e MESSER me Spitalin Rajonal të Korçës, ku pasi fitoi 1 milionë euro e vetme në vitin 2021, fitoi edhe 400 mijë euro të tjera në vitin 2025. Një procedurë tepër e dyshimtë, pasi në ambientet e Spitalit Rajonal të Korçës ishte vendosur një tanker i kësaj firme. Kriteret e vendosura dyshohet se i ishin përshtatur kësaj kompanie, duke mos lejuar as garën.

Si ndahet “torta” e milionave të Oksigjenit: Në
Faksimile: Njoftimi i fituesit të tenderit të oksigjenit nga Spitali Rajonal i Fierit

Por nëse MESSER fitoi e vetme në Korçë, po në Fier a pati garë? Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, në Fier mori pjesë vetëm firma GTS, e cila mori të gjithë shumën e akorduar.

Fituesi është shpallur në fund të vitit 2024, teksa objekti i procedurës ka qenë “blerje oksigjen i gaztë dhe i lëngshëm”, marrëveshje kuadër me një operator ekonomikë - ku të gjitha kushtet janë të përcaktuara - me afat 12 mujor. Ishin dy lote, oksigjen i gaztë dhe oksigjen i lëngshëm.

Mësohet se vlera për të dy lotët ka qenë rreth 20 milionë lekë, teksa në garë ishte vetëm firma GTS, e cila fitoi edhe të gjithë procedurën. A nuk ishte e paracaktuar?!

Si ndahet “torta” e milionave të Oksigjenit: Në
Faksimile: Tankeri i GTS në Spitalin Rajonal në Fier dhe dokumenti shoqërues i tenderit

VoxNews ka siguruar foton e tankerit të firmës GTS, të vendosur në hyrje të Spitalit Rajonal të Fierit. Depozita është vendosur disa vite më parë dhe, pas vendosjes së saj, të gjitha tenderët janë bërë fiktiv, ku fitues ka dalë gjithmonë firma GTS. Një skemë e ngjashme si në Korçë, ku atje është vendosur depozita e MESSER dhe kjo firmë fiton të gjithë paratë e oksigjenit.

Ndërkohë, VoxNews ka siguruar edhe dokumentet shoqëruese të tenderit në Fier, ku rezulton se kriter ishte që firma që do fitonte tenderin të kishte edhe një tanker. Por, a nuk e kishte vendosur firma GTS?

Si ndahet “torta” e milionave të Oksigjenit: Në
Faksimile: Krahas Spitalit Rajonal në Fier, firma GTS fitoi edhe tenderin e oksigjenit në Spitalin Memorial

Por, GTS e ka shtrirë aktivitetin edhe në Spitalin Memorial në Fier. Sërish e njëjta skemë, ku firma ka qenë e vetme në garë. Mësohet se fondi i akorduar nga drejtoresha e këtij institucioni, Rudina Degjoni, ka shkuar e gjithë për GTS. Fondi i procedurës ishte rreth 20 milionë lekë, shumë e njëjta edhe nga Spitali Rajonal. Me dy procedura, GTS mori në Fier plot 400 mijë euro edhe pse COVIDI-i ka ikur prej shumë kohësh.

©CopyrightVoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video