Zotkaj i Poliçanit i jep pa garë 184 hektarë ish-drejtorit të Alpetrolit për të vendosur panele diellore!

2 Shkurt 2025, 19:33Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Adriatik Zotkaj

Ish-drejtori i Alpetrolit, Endri Puka, ka fituar një super ankand për të marrë një pronë të stërmadhe në Bashkinë e Poliçanit. Kryetari i Bashkisë, Adriatik Zotkaj, në mandatin e fundit, ka filluar të lëshojë dorën, ku pasi po tenton që të bëjë të birin biznesmen të madh, po jep edhe pronat publike për një copë bukë.

Plot 184 hektarë në zonën e Tërpanit kanë kaluar në “dorë” të ish-drejtorit, i cili tashmë është bërë një biznesmen i madh, duke dalë nga “hija” e Koço Kokëdhimës, me të cilin ka punuar për vite me radhë.

Tashmë, Puka ka në pronësi direkte dhe indirekte një mori firmash, teksa ai ka lëvizur me aksione dhe seli, ndoshta për të humbur gjurmët. Por, pronësia e kompanisë DELVNA SOLAR, e cila është edhe fituesja e ankandit në Poliçan, ka lëvizur nga Endri Puka, te disa shtetas bullgarë dhe maqedonas. Madje, administratore e kompanisë ka qenë edhe znj. Ela Puka, bashkëshortja e ish-drejtorit.

Zotkaj i Poliçanit i jep pa garë 184 hektarë ish-drejtorit
Faksimile: Njoftimi i fituesit të ankandit për një pronë të stërmadhe në fshatin Tërpan në Poliçan

Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, Bashkia Poliçan ka shpallur disa ditë më parë fituesin e një ankandi për një pronë të stërmadhe. Fitues ka dalë firma “DELVINA SOLAR” shpk, me adresë në Tiranë.

Në dokument shkruhet se ankandi kishte një objekt “dhënie në përdorim të sipërfaqes së fondit kullosor me sipërfaqe totale 184.4 ha”. Janë disa pasuri me sipërfaqe të ndryshme të shtrira në ekonominë pyjore Mali Tërpan, njësia administrative Tërpan, në pronësi të bashkisë për vendosje stacionesh, bazamente për panele fotovoltaike me qëllim prodhimin e energjisë.

“Njoftojmë se, kanë qenë pjesëmarrës në procedurë këta ofertues me vlerat përkatëse të ofruara: DELVINA SOLAR, me vlerë 21.992.960 lekë/vit”. Pra, përveç kësaj firme, s’ka pasur asnjë firme tjetër, duke ngritur hije të mëdha dyshimi se gjithçka ka qenë e paracaktuar.

Zotkaj i Poliçanit i jep pa garë 184 hektarë ish-drejtorit
Faksimile: Dokumenti i pronësisë së DELVINA SOLAR, ku del si pronar edhe z. Endri Puka, ish-drejtor i Alpetrolit

Zotkaj i Poliçanit i jep pa garë 184 hektarë ish-drejtorit

VoxNews shfletoi dokumentet e firmës DELVINA SOLAR në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Kompania ka pasur si pronar disa shtetas bullgarë, ndërsa ka ndryshuar edhe seli, pasi kompania mëmë është regjistruar edhe në Maqedoni.

Por, disa kohë më parë doli ligji se të gjitha kompanitë duhet të depozitonin në QKB edhe pronarët përfitues, ku rezulton se pronar del edhe emri i z. Endri Puka, ish – drejtor i Alpetrolit, kompania shtetërore naftënxjerrëse, e cila menaxhon disa vendburime dhe ka nën “kontroll” edhe koncesionarët e naftës.

©CopyrightVoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video