
Korporata e Investimeve Shqiptare ka hapur një konkurs për ta shndërruar vilën qeveritare në Vlorë në një hotel luksoz. Vendimi i beftë është publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, ku i hapet rrugë që struktura e kësaj vile të shndërrohet në një resort.
Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, Korporata ka hapur ankandin e dyshimtë me qëllim tjetërsimin e pronës shtetërore, në një nga zonat më të lakmuara në qytetin bregdetar.
Redaksia jonë shfletoi edhe faqen e internetit të kësaj Korporate, por deri mesditën e datës 20 janar, nuk kishte publikuar raportin e plotë se për çfarë bëhet fjalë.
Ndërkohë, në Agjencinë e Prokurimit Publik është publikuar thirrja, e cila ka si emërtesë “për rikonceptimin e rezidencave qeveritare në struktura akomodimi elitar, Vila Vlorë”. Nuk jepen sërish të dhëna të tjera, por ajo që bie në sy është se vilë qeveritare në Vlorë është në zonën e Ujit të Ftohtë. Vilë e cila u rikonstruktua vetëm pak vite më parë, teksa qëndroi për një kohë të gjatë gërmadhë.
Dokumenti i mësipërm u publikua në datën 20 janar në APP, ku shkruan se Korporata e Investimeve Shqiptare është një institucion shtetërore 100 % dhe varet nga Ministria e Ekonomisë.
“Ky projekt synon ripërdorimin dhe modernizimin e rezidencave qeveritare, të cilat aktualisht janë struktura të amortizuara me përdorim sporadik dhe kërkesa të larta për mirëmbajtje, duke i kthyer ato në destinacione ekskluzive dhe tërheqëse për turizmin elitar dhe pritjen e personaliteteve të rëndësishme. Nisma synon të çlirojë dhe të maksimizojë potencialin e këtyre aseteve të veçanta, duke i integruar në tregun fitimprurës global të turizmit, një sektor kyç për të ardhmen e zhvillimit të Shqipërisë. Projekti i investimit realizohet nëpërmjet një modeli partneriteti, ku Korporata ka rolin e ndërmjetësuesit midis institucionit publik, që ka interes të zhvillojë pronën e tij dhe të përfitojë godina bashkëkohore, dhe partnerit privat, që posedon burimet financiare, njerëzore dhe ekzekutive në aktivitetin e menaxhimit të strukturave hoteliere, dhe ka interes në realizimin e projektit të investimit”, thuhet në këto dokumente.
Sipas saj, Korporata zhvillon procedurën konkurruese për këtë nënprojekt, duke i hapur rrugë tjetërsimit të një tjetër prone të rëndësishme në Shqipëri. Madje, një pronë e përdorur para dhe pas viteve ’90, e cila ka një shtrirje të madhe dhe mund të shndërrohet në një resort gjigant. Pas Sazanit, Lëkursit apo pronave në Tiranë, radha i erdhi edhe zonës së Ujit të Ftohtë, e cila kohët e fundit është shndërruar si e preferuar për oligarkët e ndërtimit, të cilët kanë ndërtuar ngjitur me rezidencën komplekse dhe struktura hotelerie luksoze, me çmime të kripura. Në dokument shkruhet se afati i enfiteozës është 10 vjet, me të drejtë rinovimi deri në kthimin e vlerës së investimit.
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.