Disa javë më parë, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nxori në “shitje” plot 4 milionë metra katrorë sipërfaqe deti, teksa janë shpallur edhe fituesit, disa prej të cilëve me lidhje të forta politike. Në atë kohë, dolën në ankand qindra hektarë në Vlorë dhe Lezhë, teksa radha i ka ardhur edhe Sarandës.
Sipërfaqja detare në këtë rreth do t’i jepet privatit, duke hedhur sërish hije të mëdha dyshimi se mund të përdoret edhe për qëllime të tjera. Madje, në këto njoftime të befta të ministrisë nuk jepen të dhëna nëse janë pyetur apo jo grupet e interesit, kush do t’i menaxhojë dhe a kanë ndikim në florën dhe faunën e detit, apo të liqenit të Butrintit?
Ministria nuk jep informacion nëse janë bërë studime mjedisore dhe nëse po, kush i ka bërë dhe çfarë ka konstatuar. Historia ka treguar se vendimmarrjet e qeverisë për të falur apo shitur pronën publike kanë qenë të kontestuara dhe gjithmonë kanë rënë në duart e oligarkëve apo bizneseve të lidhura fortë me politikën dhe mazhorancën. Dhe s’ka si të ndodhë ndryshe, pasi një nga perlat e Shqipërisë, bregdeti i Sarandës, do t’i jepet privatit. Pas kodrave, plazheve tashmë i erdhi radha edhe ujit!
Dokumenti i mësipërm, i siguruar nga redaksia e VoxNews, është njoftimi që ka bërë Ministria e Bujqësisë në Agjencinë e Prokurimit Publik. Ministria shkruan se po jep këtë sipërfaqe ujore bazuar në disa ligje dhe VKM për të konkurruar për të drejtën e peshkimit në ujërat e brendshme, format e tjera të peshkimit në det, pa përdorimin e mjeteve lundruese, dhe zhvillimin e akuakulturës në sipërfaqe publike, tokësore dhe ujore.
“Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, shpall pjesëmarrjen në konkurrim publik për zhvillimin e aktivitetit të akuakulturës intensive detare, Kategoria 01 e ZPA-së për peshqit në Zonën e Përcaktuar për Akuakulturë (ZPA) ZPA_SAR_F01_04 në zonën bregdetare Sarandë, në disa nënzona” thuhet në këtë njoftim.
Në liste janë 7 nënzona në Sarandë me një sipërfaqe totale prej 60 hektarësh, madje edhe me koordinatat përkatëse. Ministria thotë se subjekti duhet të përcaktojë qartë në plan biznes, afatin kohor të realizimit të kapacitetit maksimal prodhues të produkteve peshkore, në zonën e përcaktuar për konkurrim. Në çdo rast, veprat duhet të përfundohen brenda tre vjetëve nga çasti i nënshkrimit të kontratave përkatëse.
Disa javë më parë, VoxNews publikoi një investigim për “shitjen” e një sipërfaqeje ujore prej 4 milionë metra katrorë.
“Shqipëria ka qenë gjithmonë në shitje, që nga malet, kodrat, fushat apo zonat bregdetare. Me ligje dhe vendime të ndryshme, ai i koncesioneve, investimet strategjike, nismës “1 euro”, apo edhe krijimit të zonave industriale dhe turistike, miliona metra katrorë në të gjithë vendin iu janë dhënë falas privatëve. Disa me lidhje politike, të tjerë me lidhje të forta me biznesin, apo edhe persona me të kaluar kriminale, kanë përfituar këto prona shtetërore. Por, pa kaluar jehona e Investimeve Strategjike apo parcelizimit të plazheve, qeveria tashmë ka ndërmarrë një nismë tjetër; të japë detin me qira! Ministria ka shpallur disa ankande, në detin Jon dhe Adriatik. Gjithsej, nga përllogaritja e redaksisë, ministria ka nxjerrë në ‘shitje’ një sipërfaqe prej 401.2 hektarë, ose 4.012.000 metër katrorë sipërfaqe ujore”, shkruante redaksia jonë.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.