Dy arkitektë, njëra spanjolle dhe tjetri shqiptar, do të projektojnë Muzeun Etnografik të Tiranës, në vendin ku ndodhen “Sarajet e Tiranës”.
Tenderi i hapur nga Bashkia e Tiranës ka shpallur fitues këtë “çift”, të cilët kanë ndarë edhe përqindjet e punës.
Sipas dokumenteve që disponon redaksia e VoxNews, firma “ARCHISPACE” me pronar shjqiptarin Rais Petrela dhe “Elena Casanova Garcia”, shtetase shqiptare, kanë qenë të vetmit në garë, ku kanë kërkuar 60 mijë euro për kryerjen e kësaj pune, nga 65 mijë që ishte edhe fondi limit.
80 % e projektimit do e bëjë Petrela, ndërkohë Garcia do të realizojë 20 %.
Dokumenti i mësipërm është shpallja e njoftimit të fituesit, të tenderit me objekt “Studim-projektim restaurimi i Muzeut Etnografik Tiranë”.
Këta individë kanë 8 muaj kohë që të bëjnë projektin, teksa në dokumentet shoqëruese shkruhet se banesa ku do të bëhet Muzeu Etnografik është “Sarajet e Tiranës”, një godinë që është shpallur monument kulture.
“Sarajet u ndërtuan rreth viteve 1833-1840 dhe janë një nga të paktat saraje feudalësh të ruajtura në Shqipëri. Në fazën e parë të ndërtimit të saj ka qenë me çardak e hajat në ballin kryesor. Në katin e parë janë ambientet ndihmëse ndërsa në katin e dytë ambientet e ndenjes dhe anekset e shërbimit” thuhet në këto dokumente.
Në fillim të shekullit të 20-të, godina ka qenë dhe selia e legatës së SHBA. “Godinat janë të zbukuruara me dekoracione të ndryshme. Ato përbëjnë një kompleks arkitektonik me mure, oborre, puse, rrugë, porta të mëdha, banesa dhe ambiente ndihmëse. Banesa ka brenda një ‘Hamamxhik’, hamam me dimenesione të vogla”.
Në dokumente ka edhe një historik të përdorimit të godinës. “Nga shqyrtimi i materialit arkivor vërehet që ndër vite kjo strukturë është përdorur në përiudha të
ndryshme për funksione.
Në shekullin e 18-të shtëpi e familjes Toptani, në shekullin e 19-të pronë e Familjes Libohova.
Në vitet 1925-1928 Ambasadë e Shteteve të Bashkuara, deri në 1939 Bibloteka Kombëtare gjatë mbretërimit të Mbretit Zog.
Në komunizëm si bibliotekë, në 1963 si zyra të Insitutit të Monumenteve të Kulturës dhe në 1973 godina kategorizohet si monument kulture” shkruhet në dokumente.
Ndërkohë, pas viteve ’90 godina i kthehet pronarëve dhe në 2013 është përdorur si Bar Restorant. Që prej vitit 2021 godina kthehet në pronësinë e Bashkisë së Tiranës. “Hapësira në fjalë të kthehet në muzeun Etnografik të Tiranës, kjo duke vlerësuar dhe pozicionin strategjitk në qendër të Tiranës. Godina kryesore ka një sipërfaqe rreth 1050 m2, e kompozuar ne dy kate. Godina ndihmëse ka një sipërfaqe rreth 250 m2 e kompozuar në një kat” shkruhet në dokumente.
Në specifikime detajohet edhe gjendja ekzistuese, ku godina ka dëmtime të mureve të qerpiçit të dukshme në fasada në pjesën jugore. “Ka dëmtime të rifiniturave tavaneve dhe dyshemeve. Duhet theksuar se termeti i vitit 2019 ka lënë disa gjurmë dëmtimesh në muraturë, por kryesisht me rënie të suvave apo çarje të tyre.
Projektuesit, sipas dokumenteve, dueht të hartojnë një plan masash për të kryer ndërhyrje restauruese dhe konservuese në godinën e Sarajeve, si edhe muzealizimin (të projektojë ndarjen e hapësirave të brendshme muzeale) për të krijuar një ambient miqësor për turistët, me tematika të ndryshme që lidhen me etnografinë në zonën e Tiranës.
“Transformim i Muzeut si pikë tërheqëse për aktivitete të ndryshme që mund të përfshihen në program (bar i hapur, hapësirë rekreative, hapësirë pushimi, hapësira edukimi etj)” thuhet në këto dokumente.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.