Zbulohet kodi i Tor Lushnjarit në Sky Ecc?! Pse e mori Suel Çela në mbrojtje ‘biznesmenin’ e ndërtimit?

3 Dhjetor 2024, 16:00Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Suel Çela/ SkyEcc/ "Tor Lushnjari"

Dosja e SPAK ndaj Suel Çelës dhe grupit të tij me bazë në Elbasan zbulon se rrënjët e aktivitetit të tij shtriheshin edhe me gjerë, ndërsa ortakëria në trafikun e kokainës nga Amerika Latine në drejtim të porteve të Europës, apo edhe në pastrimin e parave ishte e zgjeruar.

Përgjimet zbulojnë se Suel Çela ishte në kontakt të drejtpërdrejt me Ergys Dashin, të ekzekutuar në janar të vitit 2022 në Guajakil të Ekuadorit.

Por, ndërsa Ergys Dashi dyshohet se shërbente si pikë kontakti me grupet amerikano-latine që e furnizonin me drogë, Suel Çela kishte ngritur edhe një rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh në Shqipëri.

Njëri prej tyre, sipas dosjes së SPAK, dyshohet se është edhe Mentor Mezini, njohur edhe me nofkën ‘Tor Lushnjari’, shpallur investitor strategjik dhe që Voxnews.al ka denoncuar në shkrime të mëhershme se ka nisur lëvizjet për shitjen e aksioneve të kompanisë që ka fituar këtë status.

Mezini ka nisur lëvizjet pasi dyshohet se përmendet te përgjimet e ardhura në SPAK në kuadër të dosjes Metamorfoza.

Por, pozitat e tij përballë drejtësisë rëndohen nga përgjimet e Suel Çelës, që SPAK ka në dorë.

Në dosjen e SPAK shihet se si Suel Çela ka lëvizur të gjithë gurët për të fshirë dhe zbehur një shkrim të publikuar në media në lidhje me Mentor Mezinin.

Ai komunikon me persona të tjerë me lidhje në media, teksa flet edhe me një person tjetër, kodin e të cilit SPAK nuk e pasqyron të plotë në dosje.

Dosja nuk përmend emrin e personazhit misterioz që qëndron pas kodit të Sky Encrochat.

Por, nga konteksti i bisedës, personi në fjalë mund të jetë vetë Mentor Mezini, që në bisedën në fjalë del një lidhje e ngushtë e Suel Çelës.

Por, çfarë përfitonte Suel Çela nga shoqëria me Mentor Mezinin dhe pse lëvizi të gjithë gurët për të hequr nga mediat, përfshirë këtu portale një shkrim kundër këtij të fundit?

Biseda e pasqyruar në dosjen e SPAK nuk jep shumë detaje.

Megjithatë, duke u nisur nga format e bashkëpunimit që Suel Çela ka ngritur me persona të tjerë, interesi mund të ketë qenë i madh.  

Sipas dosjes, perandoria e kokainës e Suel Çelës ka qenë vazhdimisht në kërkim të zgjerimit të rrugëve për pastrimin e parave.

Një prej sektorëve ku ai është interesuar dhe ku dyshohet se është përfshirë me sukses është edhe ndërtimi dhe Mentor Mezini mund të ketë shërbyer si ura lidhëse mes parave të kokainës dhe pastrimit të tyre në sektorin e ndërtimit në Tiranë.

Veç kësaj, nga përmbajtja e bisedës nuk përjashtohet edhe mundësia që Mentor Mezini të jetë përfshirë edhe vetë drejtpërdrejt në bashkëortakëri me Suel Çelën në sipërmarrjen e trafikut dhe shpërndarjes së kokainës në Europë.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video