Mijëra faqe transkripte të përgjimeve të aplikacioneve të kriptuara, Sky dhe Encrochat nxjerrin në pah vijën e hollë ndarëse mes një biznesmeni dhe një krimineli të dënuar për trafik, prostitucion e drogë.
Nga përmbajtja e përgjimeve që kanë dalë në publik, këto përgjime tregojnë se ky kufi ndarës është shkelur disa herë.
Emra që deri dje shiheshin si biznesmenë të suksesshëm në vend, ndërtues e madje edhe strategjikë përgjimet i nxjerrin si anëtarë të grupeve kriminale, porositës vrasjesh dhe deri te të dënuar.
I tillë është rasti i Mentor Mezinit, njohur si Tor Lushnjari, i dënuar me mbi 8 vite burg nga gjykata e Lushnjes dhe Apeli i Vlorës për shfrytëzim prostitucioni në rrethana të rënduara. Deri në 2021, Mezini ishte angazhuar si ndërtues kryesisht në Tiranë. Në korrik të këtij viti shndërrohet edhe në investitor strategjik me projektin Drymades Beach Resort dhe kompaninë Bluebay shpk.
Por, kur dukej se i dënuari për prostitucion kishte arritur majat mbërrin në SPAK dosja voluminoze e Sky dhe Encrochat.
Mes mijëra faqeve transkripte të kësaj dosje, prokuroria e posaçme ka rënë edhe në emrin e Mentor Mezinit.
Ky i fundit del në hetimet që prokuroria e posaçme ka nisur ndaj tre vëllezërve beratas, Astrit, Endri dhe Klajdi Merkaj.
Përveç tre vëllezërve nën hetim janë edhe familjarët e tyre dhe rrethi shoqëror, pasi ka dyshime se mund të kenë fshehur pasurinë në emrin e tyre. Te rrethi shoqëror del edhe Mentor Mezini.
Hetimet e deritanishme të SPAK ngrenë dyshime për lidhje të vëllezërve Merkaj nga Berati me vëllezërit elbasanas, Franc dhe Hajdar Çopja.
Për shkak se dosja është në fazë hetimore nuk do të publikojmë përmbajtejn e mesazheve, por ajo që theksojhet është fakti që Mentor Mezini është një lidhje e afërt me vëllëzrit Merkaj, dhe është një ndër personat që menaxhon paratë e njerëzve të botës së krimit që ndodhen në Dubai.
Ajo që dihet është se i vënë në dijeni të këtyre hetimeve nga SPAK, Mentor Mezini është vënë në lëvizje për të shpëtuar pasurinë e tij.
Lëvizja e parë është nxjerrja në shitje e aksioneve të kompanisë "Blue Bay Shpk", që zotëron statusin e investitorit strategjik të "Drymades Beach Resort".
Mezini ka nënshkruar një kontratë shitjeje me kusht të aksioneve që zotëron në këtë kompani në vlerën e mbi 10 milionë eurove.
Gjithashtu, ai është tërhequr, të paktën përkohësisht nga projekti për ndërtimin e kullave në zonën e Liqenit Artificial të Tiranës.
Burime për VoxNews thanë se lejet te diga e liqenit ia ka shitur biznesmenit Armand Lilos pronari i kompanisë ArlisNdërtim.
SPAK është duke e hetuar edhe për faktin se ka qenë pjesë e grupit të Dizdarit dhe Rexhepit, ndërsa aktualisht ka lidhje të forta me politikën dhe ortakëri të qëndrueshme me biznesmenë të mëdhenj në vend..
Në dosjen hetimore që kanë në dorë prokurorët e posaçëm janë materiale foto, vend-takime biseda të përgjuara me politikanë dhe biznesmenë të njohur.
‘Tor Lushnjari’ deri para pak kohësh ruhej nga truproje, pjesë e forcave RENEA, të cilët janë larguar tashmë pas nisjes së hetimeve të thelluara nga ana e SPAK.
Ndaj efektivëve në fjalë, prokuroria e posaçme ka hapur një tjetër dosje për të zbuluar se si ka ndodhur që punonjës të strukturave të ngarkuara për zbatimin e ligjit ndryshuan kah dhe u vunë në mbrojtje të një emri të dyshuar si trafikant droge.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.