“Aeroport pa studim fizibiliteti”, tender përse dështoi Kukësi: Asnjë fluturim dhe koncesionari me humbje...

9 Dhjetor 2024, 21:35Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Aeroporti i Kukësit

Nëse do të bësh një kërkim për bileta udhëtimi nga Aeroporti i Kukësit s’do të gjesh asnjë gjurmë. Faqja e internetit e koncesionarit s’ka asnjë të dhënë për “nisjet” dhe “mbërritjet”, teksa gjurmët e fundit të biletave datojnë në muajin korrik 2023. Më pas, edhe linjat “low cost” kanë “braktisur” këtë pistë, pasi “nuk ka leverdi”.

Paralajmërimet e ekspertëve se aeroporti u hap pa asnjë studim të mirëfilltë fizibiliteti duket se kanë gjetur zbatim, pasi prej muajsh asnjë avion nuk ulet dhe ngrihet nga Kukësi. Një dështim i paralajmëruar, pasi të gjithë ishin të mendimit se “s’do të zgjaste shumë”. Pompoziteti i shtetarëve për të hapur një portë të re të trafikut ajror ka qenë vetëm një propagandë.

“Aeroport pa studim fizibiliteti”, tender përse dështoi

Pista e aeroportit (aerodromit) ka qenë që nga koha e Mbretit Zog, teksa ndërtimi ka filluar në vitet 2000, me një investim nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Më pas, ka pasur tentativa për t’a hapur për fluturime, por kontrata koncesionare me Tiranën s’e ka lejuar “të ngrejë kokë”. Vetëm pas rinegocimit të kontratës së TIA-s, qeveria mori “leje” për të bërë fluturime nga Kukësi, të cilat zgjatën shumë pak.

Projektuesit e hershëm dhe tanishëm të këtij aeroporti ngritën shqetësimin disa herë, edhe gjatë kohës që drejtuesit e shtetit bënin fluturime dhe takime, se “s’ka studim fizibiliteti” për operimin e kësaj vepre. Madje, edhe pas dhënies me koncesion të “Flatrave të Veriut”, te një grup afër koncesionarit të TIA-s, sërish fluturimet kanë qenë me pikatore, aq sa sot s’ka asnjë gjurmë të tyre mbi Kukës.

“Aeroport pa studim fizibiliteti”, tender përse dështoi
Faksimile: ‘Albcontrol’ ka hapur tenderin për studim fizibiliteti për Aeroportin e Kukësit

Disa kohë më parë, ekspertët që projektuan Aeroportin e Kukësit deklaruan se “u bë pa studim fizibiliteti, ata sollën idenë e projektit pa fizibilitet”. Ishte koha kur disa avionë fluturuan në Kukës, nga ato të propagandës së qeverisë. Ndërkohë, ditët e fundit, disa muaj pasi asnjë avion s’është ulur dhe ngritur nga Kukësi, “Albcontrol” ka hapur një tender për të bërë studim fizibiliteti.

Një paradoks i madh, pasi këtë studim duhet t’a kishin bërë para se t’a hapnin, apo të lejonin fluturimet.

Sipas dokumenteve që disponon redaksia e VoxNews, është hapur procedura e prokurimit “studim fizibiliteti për infrastrukturën e Trafikut Ajror në Aeroportin e Kukësit”. Fondi limit është 20.833.333 lekë, teksa procedura do të bëhet këtë muaj. Bëhet fjalë për “shërbime të kontrollit të trafikut ajror”, “sistemet e kontrollit të trafikut ajror”dhe “pajisje kontrolli të trafikut ajror”.

Duket se qeveria po bën një tjetër tentativë për t’a rivënë në punë, sërish si një “premtim fushate”. Në fakt, premtimet kanë filluar që nga vitit 2015, në kohën kur u ‘lejuan”fluturimet. Më pas erdhi viti 2017 dhe sërish u tentua që të hapej. Në vitin 2019, pas vitesh të tëra, qeveria e dha këtë vepër publike me koncesion për 35 vjet, një bashkimi të kompanive “Global Technical Mechanichs”, një firmë e cila investoi 8 milionë euro për vënien në punë të tij.

“Aeroport pa studim fizibiliteti”, tender përse dështoi
Faksimile: Bilanci i kompanisë doli me humbje 1 milionë euro në vitin 2023

VoxNews shfletoi të dhënat në Qendrën Kombëtare të Biznesit për kompaninë koncesionare, ku rezulton se për vitin 2023 ka dalë me humbje. “Asambleja e përgjithshme, pasi mori në shqyrtim të dhënat financiare të shoqërisë për vitin 2023 vendosi miratimin e pasqyrave financiarë të cilat rezultojnë me një humbje neto prej 100.909.958 lekë. Humbja neto e shoqërisë me këtë vlerë të mbartet në periudhat e ardhshme. Ngarkohet administratori i shoqërisë që të kryejë veprimet e nevojshme për depozitimin e këtij vendimi pranë institucioneve përkatëse”, thuhet në këtë dokument.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video