Një firmë gjermane do të auditojë dhënien e fondeve nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, e cila u ka dhënë në mënyrë të padrejtë miliona euro politikanëve, njerëzve të lidhur me to apo edhe biznesmenëve të mëdhej për zhvillimin bujqësor. Ministria e Financave ka shpallur fituesin e këtij tenderi, të hapur disa javë më parë, të publikuar edhe nga redaksia e VoxNews.
Ndërkohë, në dokumentet e shpallura së fundmi, vërehet se firma gjermane ka pasur një fond më të madh se një firmë tjetër, por kriteri “punë të ngjashme” i ka shpallur edhe fitues.
Dokumenti i mësipërm është shpallja e fituesit të tenderit, të shpallur nga Ministria e Drejtësisë. Objekti i tenderit ishte “auditimi i jashtëm (auditimi forensic) për të vlerësuar zbatimin e Programit IPARD II (2014-2020) në Shqipëri”.
“Afati i zbatimit të kontratës është 165 ditë nga data e lidhjes së kontratës. Me anë të këtij formulari ju informojmë se, në këtë procedurë/lot kanë marrë pjesë, ‘FTI Consulting Germany GmbH’, me vlerë oferte 376.800 euro pa TVSH. Firma e dytë që mori pjesë ishte ‘Forvis Mazars’ me vlerë oferte 29.800.000 lekë pa TVSH” thuhet në dokumente. Pra, dukshëm shumë herë më ulët sesa firma e parë gjermane.
Në të njëjta dokumente shkruhet se nga pjesëmarrësit është skualifikuar “Forvis Mazars”, për shkak se “s’ka punë të ngjashme”. “Operatorit ekonomik nuk plotëson kriterin për kualifikim lidhur me eksperiencën e mëparshme të ngjashme të realizuar. Është kërkuar që operatori ekonomik duhet të dëshmojë kryerjen e shërbimeve të mëparshme të ngjashme me vlerë jo më të vogël se 39 % e fondit limit objekt prokurimi, të realizuar gjatë tre viteve të fundit” thuhet në këto dokumente.
Sipas ministrisë, kjo firmë, “Forvis Mazars Albania”, pjesë e rrjetit Mazars, është më shumë e fokusuar në auditime ligjore, kryesisht në Kosovë, Turqi, dhe Ballkanin Perëndimor, duke pasur një prani të kufizuar në projektet komplekse ‘forensic’. “Pavarësisht kontraktimit të ekspertëve të huaj me eksperiencë në ‘forensic’, vetë kompania ‘Forvis Mazars Albania’ nuk ka ekspertizë të thelluar në organizimin dhe kryerjen e auditimin ‘forensic’, si dhe nuk ka paraqitur dokumentacion provues, vërtetime dhe ose fatura, që të provojë eksperiencën e ngjashme” shkruan ministria, duke ia dhënë “aforfe” tenderin firmës gjermane, pavarësisht se ofroi 99 % të fondit limit.
Investigimi i VoxNews i muajit tetor 2024, për investigimin e dhënies së fondeve IPARD II
Në tetor 2024, ministria e Financave hapi tenderin për të investiguar AZHBR-në për dhënien e miliona eurove nga programi IPARD II. Procedura është publikuar edhe nga redaksia jonë, ku me një tender me vlerë 377 mijë euro do të verifikohej procedura e dhënies së këtyre fondeve përfituesve që kanë qenë edhe nga bota e krimit, çka solli që BE-ja të ndalojë vijimin e mëtejshëm të programit, duke ngrirë dhjetëra miliona euro të tjera që do të shkonin për bujqësinë shqiptare. Bëhet fjalë për të “hetuar” një nga abuzimet më të mëdha që ka ndodhur në Shqipëri, ku fondet e BE-së shkuan me mashtrime dhe konflikt interesi te disa individë të lidhur me pushtetin.
“Kontraktori duhet të hartojë një draft-raport, me rezultate të qarta dhe koncize, dhe një Raport Përfundimtar. Raportet duhet t'i dorëzohen Zyrtarit Kombëtar Autorizues. Të gjitha dokumentet duhet t'i drejtohen ZKA-së, znj. ADELA XHEMALI, zëvendësministër i Financave” thuhet në këto dokumente. Në dokumentet e publikuara nga Ministria e Financave, të siguruara nga VoxNews, thuhet se Shqipëria u akreditua nga Komisioni Evropian për zbatimin e Programit IPARD II me firmosjen e Marrëveshjes së Financimit në Maj të vitit 2018, me një buxhet prej 94.3 milion Euro, prej të cilave 71 milion Euro ishte kontributi i BE dhe 23.3 milion Euro kontributi kombëtar.
“Gjatë zbatimit të Programit IPARD II, në shkurt 2021, Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) kreu një hetim në Agjencinë IPARD, duke marrë 54 dosje nga thirrjet 1 dhe 2. Në Korrik 2023, Komisioni Evropian (DG AGRI) njoftoi autoritetet shqiptare se për shkak të informacionit paraprak të marrë nga OLAF, Komisioni do të ndërpresë përkohësisht rimbursimin e pagesave për Shqipërinë deri në marrjen e masave korrigjuese. Në raport, janë identifikuar disa gjetje me parregullsi serioze, mashtrime, konflikt interesi në disa projekte të financuara nga Programi IPARD II, si dhe mos arritja e AZHBR-së për të identifikuar sinjalet e parregullsive dhe parandalimin tyre” thuhet në këtë dokument. Pra flet mjaft qartë për mashtrime dhe konflikt interesi, madje edhe mos reagim i institucioneve.
“Për këtë qëllim, në rastet kur janë identifikuar parregullsi apo mashtrime gjatë zbatimit të programit, ZKA mund të kërkojë një vlerësim të zbatimit të procedurave nga strukturat përgjegjëse nëpërmjet një auditi të jashtëm të pavarur sipas standardeve ndërkombëtare të auditimit”, thuhet në dokumente.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.