“Biznesmeni” Tan Agolli po e kthen FSHZH-në në funksion të familjes, lidhja me politikanë dhe favorizimet e “klientëve”

18 Dhjetor 2024, 22:40Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Dritan Agolli

Kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, është kthyer në një “biznesmen” të mirëfilltë, teksa familja e tij po “lulëzon” në aktivitetet private. Tenderët miliona euro të shpallur çdo muaj kanë dhënë “rezultat”, jo në të mirën publike, por në shtimin e pasurive dhe bizneseve të familjes.

Bashkëshortja Rovena Agolli dhe djali Flladi Agolli, janë pronarë të disa kompanive, që nga menaxhimi i resorteve, restoranteve luksoze, plazheve, apo edhe bërja e bilanceve të kompanive. Gjithashtu, prej vitesh, Rovena ka edhe një biznes për import-eksport të materialeve industriale, ushqimore apo edhe agjenci turistike. Bizneset kanë lulëzuar nga drejtimi i kryefamiljarit në krye të FSHZH-së.

VoxNews ka hulumtuar dhjetëra dokumente nga Qendra Kombëtare e Biznesit, por edhe nga prokurimet publike, ku rezulton se fondet e dhëna nga FSHZH kanë sjellë shtim dhe pasurim të familjarëve. Me lidhjet e Agollit, Rovena dhe Flladi kanë shtuar llogaritë, madje edhe menazhojnë biznese elitare.

“Biznesmeni” Tan Agolli po e kthen FSHZH-në në funksion
Faksimile: Firma ‘Fusha’ kishte ofertën më të lartë, por u skualifikua

Disa javë më parë, redaksia publikoi një investigim sesi Agolli i dha një tender kompanisë “Fusha”, duke skualifikuar të gjitha ofertat e tjera të ulëta. Por, kjo kompani lidhet shumë ngushtë me Agollin, pasi ka dyshime se ajo ka qenë “ndërtuesja” e restorantit luksoz “BEDOUIN” të Flladi Agollit në Hamallaj. Ndërkohë, të dhënat e bëra publike së fundmi flasin për një marrëdhënie të ngushtë biznesi mes Agollëve dhe Fushës, në zonën e Farkës. Por, nëse do t’i japësh një tender me ofertën më të lartë dhe në këmbim do të bësh biznes, a mos bie pak ere korrupsioni në gjithë këtë histori?!

Por, këto nuk janë lidhjet e vetme të Agollëve, ku Rovena dhe Flladi kanë marrë zyra dhe apartamente në kullat në digën e liqenit, të ndërtuar nga firma “Gener 2”. Në këtë firmë ka qenë i punësuar edhe Dritan Agolli për një kohë të gjatë, teksa “Gener 2” rezulton si një përfitues i madh i fondeve publike. Zhvendosja e bizneseve të familjes në këto kulla veçse konfirmon lidhjen e tyre me këtë firmë, ndërsa u mbetet organeve ligjzbatuese që të konfirmojnë nëse ka apo jo korrupsion, shpërdorim detyre apo vepra të tjera penale.

“Biznesmeni” Tan Agolli po e kthen FSHZH-në në funksion
Faksimile: Bashkëshortja dhe djali i Dritan Agollit kanë marrë zyra te pallatet e “Gener 2”

Sipas dokumenteve që disponon redaksia e VoxNews, rezulton se selia e kompanisë “Agolli Audit & Consulting” ka shkuar në këto Kulla. Kjo firmë ka si aksionere dhe pronare zonjën Rovena Agolli, teksa objekti i veprimtarisë është auditim ligjor dhe joligjor i pasqyrave financiare për institucione me interes publik, OJF, shoqëri tregtare etj.

Jo ligjore?! Çfarë auditimi mund të bëjë tjetër zonja Agolli?! Do të fshehë bilancet apo provat? Cilat firma auditon kjo firmë dhe a kanë marrë tendera nga FSHZH-ja? Natyrisht, provat janë të hapura, në këtë zyrë dhe në bilancet e kompanive, që sipas zonjës Agolli mund të bëhen edhe në forma jo ligjore.

Në të njëjtën adresë “Rruga e Kosovarëve, kompleksi rezidencial ‘Lake View’, ap. B202/2” ka selinë edhe firma HMS, e Flladi Agollit. Kjo firmë ka si veprimtari manaxhim i ambienteve publike dhe private, komplekseve turistike, pushuese dhe banimi. Madje, edhe administrim të sipërfaqeve publike dhe private ranore, plazhe dhe çdo shërbim i lidhur ngushtësisht me to.

“Biznesmeni” Tan Agolli po e kthen FSHZH-në në funksion
Në foto: Restoranti i Flladi Agollit në Hamallaj. Në vitin 2023 ka dalë me humbje!

Nga të dhënat rezulton se kjo firmë, bashkë me restorantin “BEDOUIN”, janë në funksion të shfrytëzimit të një sipërfaqeje në plazhin e Hamallajt. Por, në bilancet e publikuara, rezulton se restoranti doli me humbje në vitin 2023! Një paradoks i madh, pasi është një nga vendet më luksoze dhe të shtrenjta në Hamallaj. Ndërkohë, firma HMS i doli me një fitim 2.3 milionë Agollit.

Sipas të dhënave në QKB, “BEDOUIN” ka dy vende të ushtrimit të aktivitetit, e para në Hamallaj në kompleksin “Vala Mar” dhe e dyta në rezidencën “Longhill”, Tiranë. Dy prej rezidencave luksoze, të cilat rrugët apo gjithçka tjetër po e bën Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Nga njëra anë babai jep miliona euro në shërbim të këtyre resorteve, nga ana tjetër djali zhvillon aktivitetet e biznesit në këto ambiente, teksa gruaja e tij bën bilance ligjore dhe jo ligjore!

“Biznesmeni” Tan Agolli po e kthen FSHZH-në në funksion
Faksimile: Gruaja e Dritan Agollit është bashkëpronare në një firmë me gruan e Dashamir Pezës

Ndërkohë, biznesi i parë që ka pasur familja Agolli ka qenë “FASHION SILOUHETTE”, një biznes i ndarë me 50 % të aksioneve nga Rovena Agolli dhe 50 % nga Entela Peza, bashkëshortja e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Dashamir Peza. Objekti i biznesit është tregti me shumicë e pakicë, import-eksport të materialeve industriale, ushqimore dhe makinerive në fushën e ndërtimit, agjenci turistike, hoteleri, bar, kafe etj.

Nisur nga bizneset e familjes, s’do mend që dy tenderët e FSHZH-së për të bërë restorante të kenë pasur ndikim. Fondi po bën me paratë e shtetit një restorant në zonën e Petrelës, të denoncuar nga VoxNews disa javë më parë me titull; Kujt ia ka premtuar restorantin Dritan Agolli te projekti 3.7 milionë euro në Petrelë?! Ndërkohë, FSHZH shpalli tenderin me vlerë 2 milionë euro për bare, restorante brenda Zonës së Mbrojtur të llixhave të Bënjës. Në atë vend bëri punime sporadike firma “Fusha”, të cilat po “mbulohen” nga fondi i majmë i akorduar nga Dritan Agolli.

Të dhënat flasin se Fondi është kthyer në një “qokë” të madhe për familjen apo edhe për disa biznese të lidhur ngushtë me to.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video