Mori 23 MILION EURO në 2021, sa PARA shtesë i janë premtuar firmës “Salillari” për Unazën e Madhe?!

31 Dhjetor 2024, 17:49Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Pëllumb Salillari

Disa orë para natës së ndërrimit të viteve dhe 1 dite pas hapjes për qarkullim të Unazës së Madhe, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur një tjetër procedurë, duke zgjatur afatin e punimeve.

Në fakt, të tilla njoftime bëhen me të vetmin qëllim, shtimin e fondeve për firmat kontraktuese, të cilat pasi fitojnë tenderin e madh arrijnë që me modifikimet apo shtesat e kontratës të marrin të tjera miliona.

Me modifikimet dhe shtesat, ende nuk dihet saktësisht se sa janë shpenzuar për të gjithë Unazën e Madhe, e cila filloi pothuajse 15 vite më parë dhe u hap pjesërish në fund të 2024-ës.

Ndarja në pjesë dhe shtesat që iu janë dhënë firmave fituese kanë sjellë një shtim të konsiderueshëm të kostove, për një aks i cili është zvarritur e zvarritur, ndoshta me qëllimin që të thithë sa më shumë fonde.

Mori 23 MILION EURO në 2021, sa PARA shtesë i janë premtuar
Faksimile: Njoftimi i ARRSH-së për modifikimin e kontratës me firmën Salillari

Në datën 31 dhjetor 2024, në Agjencinë e Prokurimit Publik, teksa në media dilte Balluku dhe Gjyli në kantierin e rrugës së Arbrit, Autoriteti Rrugor Shqiptar bëri një njoftim të thjeshtë.

Në fakt i thjeshtë për t’u lexuar, teksa për t’u dëshifruar specialistët e ARRSH-së duket se i kanë kopsitur letrat për firmën ndërtuese.

Por, nëse nga njëra anë Balluku dhe Rama dalin kryelartë teksa përurojnë Unazën e Madhe, përse modifkohen kontratat apo shtohen fondet? Sa para i ka premtuar Balluku firmës “Salillari”, ndoshta vetëm që të duket mirë në publik?

Dhe, ajo që është më kryesorja, nëse vepra përfundoi, përse duhet që të modifikohet kontrata?

Në dokumente shkruhet se objekti i procedurës së prokurimit është “modifikim i kontratës për zgjatjen e afatit ‘plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja - Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”.

Njoftimi u bë mesditen e datës 31 dhjetor 2024, teksa njoftimi duket se i shërben më shumë firmës apo edhe vetë propagandës së qeverisë me Unazën e Madhe.

Mori 23 MILION EURO në 2021, sa PARA shtesë i janë premtuar
Faksimile: Në vitin 2021 firma Salillari fitoi tenderin me vlerë 2.3 milardë, ose 23 milionë euro

VoxNews shfletoi dokumentet e tenderit të madh, të vitit 2021. Në atë kohë u finalizua procedura “plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi
Shqiponja - Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”, me një fond 2.375.552.033 lekë.

Në tenderin e vitit 2021 mori pjesë Salillari me ofertë 2.283.897.638 lekë dhe GENER 2 me ofertë 2.375.552.033. Oferta e dytë u skualifikua, teksa fitues doli Salillari.

Në atë kohë tenderi u firmos nga ish-drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi.

Në dokument shkruhej se afati ishte 24 muaj, por afati ka përfunduar dhe punimet ende s’kanë përfunduar.

Ndoshta, me këto shtyrje, synohet që të shtohen fondet.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video