
Një vendim i beftë i disa institucioneve, qendrore dhe lokale, po sjell mbylljen pas plot 121 viteve të Shkollës Tregtare në Vlorë. Projekti i kampusit të shkollave profesionale, që do të ndërtohet në qytetin e Vlorës, i hap rrugë që në zonën e Ujit të Ftohtë, ku operon kjo shkollë, të bëhet një resort.
Prona e lakmuar e shumë ndërtuesve në majë të kodrës së Ujit të Ftohtë është kërkuar vazhdimisht nga pronarë të vjetër e të rinj, nga pushtetarë apo edhe nga oligarkë apo persona të lidhur me krimin. Por, kur bashkëpunojnë disa faktorë, biznesi me politikën, sjell shkatërrimin e një historie shumëvjeçare.
Më parë, shkolla ishte mbyllur në kohën e Luftës së Dytë Botërore, nga diktatori italian Musolini, gjatë kohës që Italia pushtoi Shqipërinë dhe shkollën e ktheu në një kazermë ushtarake. Tashmë, pas Musolinit shkollën e mbyll qeveria “Rama”, ku disa eksponentë lokalë dhe qendrorë kanë firmosur për këtë shkollë!
Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka shpallur fituesin e tenderit “ndërtim të ri të shkollës dhe repartit të shkollës Pavarësia Vlorë”. Fitues kanë dalë BOE “ZEQILLARI” dhe “L.T.E CONSTRUCTION”. Fondi i tenderit ka qenë 383 milionë lekë, teksa oferta më e ulët ka qenë ajo e BOE “ARKONSTUDIO”, “ALKO IMPEX” dhe “B93 II” me vlerë 283 milionë lekë. Fituesi ofroi 360 milionë, 77 milionë lekë më shumë sesa oferta më e ulët!
VoxNews analizoi dokumentet shoqëruese të tenderit, ku në krye të relacionit arkitektonik shkruhet “rikonstruksion shkolla profesionale ‘Pavarësia” dhe ‘ndërtimi i Shkollës Tregtare Vlorë’”. Por, nëse Shkolla e Mesme “Pavarësia” është në qytet, Shkolla Tregtare është në Ujin e Ftohtë!
Në dokument shkruhet se shkolla “Pavarësia” ndodhet në qytetin e Vlorës dhe ka një sipërfaqe prej 10 mijë metra katrorë. Kapaciteti aktual është 485 nxënës, teksa gjëja më interesante e kësaj shkolle është krijimi i reparteve të praktikave për çdo profil arsimor.
Ndërkohë, në të njëjtin dokument shkruhet edhe për Shkollën Tregtare të Vlorës. “U hap në Vlorë më 8 nëntor 1924, gjatë periudhës së pushimit të vendit nxënësit sabotuan çdo masë për fashistizimin e shkollës. Me krijimin e PKSH veprimtaria revolucionare në shkollë mori karakter të organizuar. 229 nxënës e nxënëse u hodhën me armë në dorë për çlirimin e atdheut. Në këto rrethana më 22 maj 1943 shkolla u mbyll. Organet e pushtimit e kthyen atë në kazermë ushtarake. 44 nxënës të saj ranë dëshmorë, ndër ta 4 heronj të popullit. Pas Çlirimit shkolla u rihap në mars 1945, në 47-ën u hap konvikti dhe dega e mbrëmjes pa shkëputje nga puna. Për një kohë të shkurtër shkolla u vendos në Tiranë, por më pas u rikthye në Vlorë. Tradita e saj vazhdohet nga shkolla e mesme ekonomike. Ka një bashkëpunim me 120 biznese të qytetit dhe të jugut, kryesisht në turizëm” thuhet në dokumente.
Por, pasi i bëhet jehonë dhe lavdërohet Partia Komuniste Shqiptare “me krijimin e PKSH veprimtaria revolucionare në shkollë mori karakter të organizuar”, qeveria do ta prishë këtë shkollë. Në dokumente shkruhet se ajo do të transferohet në qytetin e Vlorës, atje ku ndodhet edhe shkolla e mesme Profesionale “Pavarësia”. “Godina shtrihet kundrejt bulevardit ‘Ismail Qemali’, rruga kryesore e qytetit që lidh shkollën me sheshin ‘Pavarësia’ dhe më tej me portin e Vlorë” thuhet në dokumente.
Po me territorin aktual të kësaj shkolle te Uji i Ftohtë çfarë do të ndodhë? VoxNews ka mësuar se oligarkët i anë vënë syrin, teksa synojnë shembjen e Shkollës Tregtare dhe shfrytëzimin e territorit të saj për ndërtimin e një kompleksi. Mësohet se synimi i gjithë këtij projekti ka qenë marrja e territorit në atë vend, pasi është zonë e lakmueshme për ndërtim.
Por nëse i rezistoi kohëve, edhe pushimit nga Musolini, duket se s’di i rezistojë qeverisë “Rama”. Vendimi i heq vlonjatëve, por edhe mijëra personaliteteve që kanë mësuar atje, një nga historitë më të ndritura.
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.