Thellohet skandali\ VoxNews zbardh dokumentet: Hotele me 5 yje brenda rezidencave qeveritare te Uji Ftohtë në Vlorë

20 Janar 2025, 20:44Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustrim

Korporata e Investimeve Shqiptare i ka hapur rrugë ndërtimit të hoteleve me 5 yje brenda godinave dhe territorit të rezidencave qeveritare te zona e Ujit të Ftohtë, në Vlorë. VoxNews ka zbardhur dokumentin e Korporatës, ku rezulton se tre godinat shtetërore do të shndërrohen në zona private, ku disa suita do t’u lihen edhe qeveritarëve. Redaksia jonë paralajmëroi këto ndërtime pas publikimit të ankandit në APP, teksa pasditen e 20 janarit u publikua edhe raporti.

Sipas dokumentit, qëllimi i projektit do të jenë te rezidencat qeveritare të Vlorës, dikur ndërtesa të dedikuara për pritjen e personaliteteve të rëndësishme dhe organizimin e ngjarjeve zyrtare.

“Megjithatë, me kalimin e kohës dhe ndryshimin e nevojave, këto prona kanë humbur funksionalitetin e tyre dhe janë kthyer në struktura rrallëherë të shfrytëzuara, duke u bërë një barrë financiare për mirëmbajtje dhe një pasuri e fjetur pa një kthim të prekshëm ekonomik” thuhet në këtë dokument.

Më tej sqarohet se në këto ambiente do të bëhen hotel-butik me 5 yje, ku personalitetet e larta do të vazhdojnë të përfitojnë nga shërbimet që këto godina qeveritare do të ofrojnë.

Thellohet skandali VoxNews zbardh dokumentet: Hotele me 5 yje brenda rezidencave
Faksimile: Njoftimi i korporatës për zonën që do shndërrohet në hotel-butik me 5 yje

Thellohet skandali VoxNews zbardh dokumentet: Hotele me 5 yje brenda rezidencave

Korporata shkruan se rezidencat qeveritare pranë Ujit të Ftohtë në Vlorë, rreth 6 km larg nga qendra e qytetit u ndërtuan gjatë periudhës së regjimit komunist për të akomoduar funksionarët e lartë të shtetit dhe personalitetet zyrtare.

“Të vendosura në një nga zonat më të bukura në hyrje të Rivierës Shqiptare, ato ofrojnë peizazhe të veçanta dhe mbresëlënëse, si dhe afërsi me pikën ku ndahen Adriatiku dhe Joni. Historikisht, këto rezidenca kanë shërbyer si hapësira për pushime dhe takime zyrtare për udhëheqës politikë dhe delegacione diplomatike. Megjithëse janë ende funksionale, ato janë të amortizuara dhe kërkojnë mirëmbajtje të konsiderueshme për të përmbushur standardet moderne” shkruan institucioni në varësi direkte të qeverisë.

Më tej shkruhet se këto ambiente përdoren shumë rrallë, duke u kthyer në pasuri të nënshfrytëzuara që ofrojnë një mundësi të shkëlqyer për transformim dhe zhvillim ekonomik. “Pronat ku do të zhvillohet ky projekt janë rezidenca qeveritare ‘Vila nr. 2’ me sipërfaqe 1.126 m2. ‘Vila nr.6’ me sipërfaqe ndërtese 332.48 m2 dhe ‘Vila nr.9’ me sipërfaqe 186.18 m2” shkruhet në dokumente.

Thellohet skandali VoxNews zbardh dokumentet: Hotele me 5 yje brenda rezidencave
Faksimile: Harta ku do të bëhen ndërtimet brenda rezidencës qeveritare te Uji Ftohtë në Vlorë

VoxNews mësoi se Korporata shkruan se zona e Ujit të Ftohtë në Vlorë është rajon me rëndësi të veçantë natyrore dhe historike në Shqipëri dhe i pashfrytëzuar. “Ky projekt ofron një mundësi për të ndërthurur ruajtjen e trashëgimisë së përdorimit të këtyre rezidencave me adoptimin e standardeve më të avancuara të mikpritjes dhe menaxhimit të hapësirave luksoze” është justifikimi i kësaj agjencie.

Më tej sqarohet se sipërfaqja e konkursit është 1.644.7 m2, ku rezidenca është 6 km larg nga Vlora dhe 190 nga Tirana.

©CopyrightVoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video