Përmbytja e Durrësit/ Afera 20 milionë euro e dy Sakove, Kovaçit dhe “Vëllezërve Hysa”

5 Shkurt 2025, 11:19Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Emirjana Sako

Një aferë e madhe, gati 20 milionë euro, dyshohet se ka shkaktuar përmbytjen masive në Durrës, ku qindra shtëpi u dëmtuan në fund të janarit. Megjithëse zyrtarët shtetërore ia kanë hedhur fajin “natyrës” për shirat e rrëmbyeshëm dhe “papërgjegjshmërisë” së banorëve që kanë mbushur kanalet me mbetje, faktet janë komplet të tjera.

Në vitin 2021 u bë një super tender për kanalet e mëdha të kulimit, të ujërave të shiut, që do të bënin pikërisht këtë; Zona e ish-Kënetës dhe Spitallës të mos përmbyteshin. Por, këto para duket se janë shpërdoruar në mënyrën më të keqe të mundshme.

U ndërtua një Hidrovor i ri shumë larg atij të vjetrit, por kënaqet që çojnë ujin në atë vepër janë më të gjatë dhe s’janë aspak funksionale. Për të mos përmendur edhe cilësinë e ndërtimit të këtij Hidrovori, i cili duket se ditët e përmbytjeve s’ka qenë në punë. Aktualisht e gjithë vepra është në fazë testimi, por ajo që shihet se “testimi po bëhet në kurriz të qytetarëve”.

Përmbytja e Durrësit/ Afera 20 milionë euro e dy Sakove,
Faksimile: Fituesit e tenderit të kanaleve dhe të Hidrovorit janë firma “Adriatik”, “Vëllezërit Hysa” dhe “2 T”
Përmbytja e Durrësit/ Afera 20 milionë euro e dy Sakove,
Faksimile: Fituesit e tenderit të kanaleve dhe të Hidrovorit janë firma “Adriatik”, “Vëllezërit Hysa” dhe “2 T”

Por, kush mban përgjegjësi për gjithë këto dëmtime dhe përse i gjithë investimi u vonua për vite me radhë?

Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, tenderin e ka bërë kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emirana Sako. Ajo ka bërë dokumentet, specifikimet teknike, raportet apo edhe analizat. Madje ka shpallur edhe projektuesit, ndërtuesit apo fituesit. Pra, një zyrtare e lartë që ka bërë gjithë këto procedura, duke parë që e gjithë vepra ka dështuar, a nuk mban përgjegjësi? Nëse jo, a ka bërë ndonjë verifikim apo është justifikuar se ka bërë evidentimin e banesave të përmbytura! Një situatë e pazakontë, pasi me gjithë këto abuzime dhe duke pasur edhe vlera të lartë, askush nuk mban përgjegjësi.

Por, me cilat firma e ka bërë aferën Sako?!

Mësohet se, fitues i procedurës është një bashkim të operatorëve ekonomikë. Janë tre firma që kanë bërë punimet, e hidrovorit dhe të kanalizimeve që çojnë ujin në atë vepër. E para është firma “Adriatik” shpk, e cila është në pronësi të z. Petrit Kovaçi dhe z. Ardian Mustafaraj, ku secili ka nga 50 % të aksioneve. Z. Kovaçi është babai i ish-drejtorit të Ujësjellës Kanalizimeve në Durrës, Spartak Kovaçit. Kjo firmë projekton ujësjellës dhe vepra të ujit. Një konflikt i pastër interesi!

Ndërkohë, firma e dytë është “Vëllezërit Hysa”, pronarët e së cilës janë hetuar dhe ndaluar për abuzime. Aktualisht pronar janë znj. Flutura Hysa me 40 % të aksioneve, Kujtim dhe Besnik Hysa kanë nga 30 % të aksioneve. Një firmë me probleme në të kaluarën, që bën një super vepër sërish me probleme. Të jetë rastësi?!

Firma e tretë që bëri kanalet dhe hidrovorin e ri është “2 T”, në pronësi të Artan Sako dhe Dritan Troksit, ku secili ka nga 50 % të aksioneve. Z. Artan Sako është vëllai i ish-komandantit të Gardës së Republikës Gramoz Sako.

Këto firma duhet ta kishin përfunduar të gjithë veprën në fund të vitit 2022, por u vonuan më shumë se 2 vite dhe askush s’u kërkoi llogari. As kryetarja e Bashkisë së Durrësit, as ndonjë organ tjetër.

Pra, të tria firmat kanë një të kaluar, disa me lidhje të forta me administratën dhe të tjerë me probleme ligjore. Deri më tani, asnjë organ ligjzbatues nuk ka nisur hetimet për përmbytjen e Durrësit, ku sërish kostoja e dëmshpërblimeve do të jetë e qytetarëve. Papërgjegjshmëria e tyre ka sjellë abuzime me detyrën, që rëndojnë fillimisht mbi familjet e prekura dhe taksapaguesve. A mban ndonjë përgjegjësi?!

©CopyrightVoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video