
Dy janë emrat e prokurorëve që përmenden në dëshminë e dhënë para antimafias italiane të Mariglen Shushës, i penduari i dosjes së bujshme ‘Shpirti’.
I pari është prokurori i Vlorës në atë kohë, Mariglen Shusha dhe i dyti prokurori i krimeve të rënda, po në atë kohë, Eneid Nakuçi.
Por, pavarësisht se dy prokurorët sipas dëshmisë bëhen pjesë e së njëjtës dosje për lidhje me trafikantë ndërkombëtare të drogës, njëri u arrestua dhe tjetri u promovua.
Maksim Sota u mor nën akuzë pasi pala italiane përcolli për atë shqiptare dosjen bashkë me dëshminë e Mariglen Shushës, ndërsa Eneid Nakuçi u promovua nga prokuror i krimeve të rënda në prokuror i posaçëm në SPAK.
Por, cili ka qenë roli i Eneid Nakuçit në hetimin e kësaj dosjeje? Sipas dëshmisë së dhënë nga Mariglen Shusha dhe të publikuara nga Inside Story mbrëmjen e së mërkurës, prokurori i SPAK përmendet si emri me të cilin duhet të kontaktonin trafikantët për të realizuar qëllimin e tyre, atë të transferimit të dosjes nga krimet e rënda, ku hetohej në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, te prokuroria e Vlorës, ku do të hetohej si rast trafik jo i organizuar.
E thënë më thjesht, akuza lehtësohej. Për këtë qëllim, Mariglen Shusha thotë se i hetuari tjetër në këtë dosje, Ilirjan Duçkollari ka shpenzuar 200 mijë euro, para që dyshohet se janë përdorur për të korruptuar njerëzit e drejtësisë, që dosja në ngarkim të Rober Myftarit, që akuzohej si koka e grupit të kalonte te prokuroria e Vlorës.
Nuk dihet nëse një pjesë e këtyre parave kanë përfunduar në xhepat e Eneid Nakuçit, por ngjarjet që rrodhën më vonë provojnë se trafikantët ja dolën mbanë që të mbyllin hesapet me drejtësinë.
Nakuçi ka regjistruar procedimin në nëntor të 2015-s, në janar të 2016-s ka marrë të pandehur Robert Myftarin dhe në 10 korrik të 2017-s dosja u pezullua, me argumentimin se nuk kishte prova.
Si prokurori i dosjes në fjalë, të gjitha vendimet mbajnë firmën e Nakuçit, emri i të cilit del në dosjen hetimore italiane, por është fshirë nga ajo shqiptare.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.