Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka miratuar në gati 97% kërkesat e SPAK për masë sigurie “arrest në burg” për të akuzuarit. Përkthyer në shifra janë 503 kërkesa të pranuara dhe vetëm 19 të refuzuara nga 522 në total.
Që prej krijimit të strukturave të reja në kuadër të Reformës në Drejtësi, në fakt janë gjithsej 121 kërkesa me 622 persona për të cilët është kërkuar masë sigurie nga Prokuroria e Posaccme në Gjykatën e Posaccme. Nga këto, për 522 është kërkuar masë sigurie “arrest në burg”, ndërsa për 100 janë kërkuar masa të tjera sigurie.

Konkretisht në vitin 2020 janë 44 kërkesa me 146 persona për të cilët është kërkuar masa e sigurisë “arrest në burg”. Në vitin 2021 kemi një ulje të shifrave, teksa SPAK ka dërguar 42 kërkesa, nga të cilët për 171 është kërkuar burg. Nga ana tjetër, në vitin 2022, kemi një rënie të kërkesave më tej në 35, por numri i personave për të cilët SPAK ka kërkuar nga Gjykata e Posaccme “arrest në burg” është rritur në 244.
SPAK dhe GJKKO u krijuan në vitin 2019, në kuadër të Reformës në drejtësi, duke zëvendësuar ish-Prokurorinë dhe Gjykatën e Krimeve të Rënda. I pari që drejtoi këtë strukturë deri në dhjetor 2022 ishte Arben Krraja, i cili u zëvendësua nga Altin Dumani, pas përfundimit të mandatit 3-vjeçar./Top News