Gjatë një aktiviteti të organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani ngriti ndër të tjera shqetësimin se si institucionet shtetërore kishin një rënie me 40 për qind të denoncimeve antikorrupsion, edhe pse denoncimi është i detyrueshëm përmes ligjit të sinjalizuesve.
Dumani iu referua vetëm dy institucioneve, që edhe pse nëpër raportet e anketat vendase e të huaja vlerësohen me nivel të lartë korrupsioni, te SPAK nuk kishin sinjalizuar përgjatë vitit 2023 asnjë praktikë të dyshuar si korruptive. Ato ishin drejtoria e Tatimeve dhe ajo e Doganave.
“Tatimet zero kallëzime, doganat zero. A ka apo jo korrupsion aty?!”, tha Dumani.
Tatimet janë akuzuar gjatë drejtimit të tyre nga Ceno Klosi, i dorëhequr së fundmi për t’u emëruar zëvendës i Ballukut në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, për praktika korruptive, zbatim selektiv të legjislacionit, emërime nepotike në administratë e të tjera dosje.
Për praktika korruptive, emërime nepotike, madje edhe për emërim të personave të dënuar është akuzuar edhe Gent Gazheli, drejtori i përgjithshëm i Doganave, që në këtë post u emërua në 2020 për të rivendosur në ligjshmëri një institucion të shumëakuzuar edhe për mbylljen e njërit sy përballë kontrabandës së mallrave të akcizës.
Duke u nisur nga deklarata e Altin Dumanit, a duhet të ndjekë edhe Gent Gazheli rrugën e Ceno Klosit? A duhet të largohet ai prej doganave? A duhet ta shkarkojë kryeministri Edi Rama për dështim të luftës kundër korrupsionit?
Sepse, nëse nga një institucion si doganat nuk dërgohet asnjë kallëzim për korrupsion në SPAK, dy janë mundësitë, ose Gent Gazheli e ka çuar në zero korrupsionin në këtë institucion, ose ai vetë është i zhytur kokë e këmbë në afera korruptive dhe s’ka se si t’i denoncojë po vetë këto afera.
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.