Aksionet e SPAK kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit, rezultatin e parë që arrijnë nuk është kopsitja e dosjeve hetimore dhe më pas gjykimi i tyre e dënimi i shkelësve të ligjit. Rezultati i parë është show mediatik e publik që pompohet përmes rrjedhjes së informacioneve sekrete nga këto dosje, ende pa mbërritur në fazën e nisjes së procesit gjyqësor.
Kreu i SPAK, Altin Dumani e njohu këtë problematikë në raportimin e gjatë që zhvilloi në Komisionin e Ligjeve përballë deputetëve të opozitës dhe shumicës, që çuditërisht e kishin mbushur si rrallëherë sallën këtë të mërkurë. ‘Është një problem i madh’, tha Dumani, në përgjigje të pyetjes së ngritur nga deputeti Damian Gjiknuri mbi rrjedhjen në publik të dosjeve hetimore.
Duke iu referuar rastit të dosjes së shtatë grupeve kriminale ku u lëshuan 51 urdhër-arreste, Altin Dumani tha se ka një vendim gjykate që ndalon publikimin e dosjes, apo edhe të përmbajtes së kësaj dosjeje.
Por, çështja nuk është kaq e thjesht. Së pari, media dhe publiku u njohën me urdhrin e gjykatës vetëm pasi dosja kishte marrë dhenë dhe së dyti, që është edhe më e rëndësishmja, përmes publikimit të detajeve nga kjo dosje mediat ndërgjegjësuan shoqërinë shqiptare mbi nivelin e krimit të organizuar dhe se si e ka sfiduar dhe e sfidon ai shtetin.
Pra, në këtë rast mediat i kanë bërë një shërbim madhor publikut, duke ekspozuar para tij mënyrat e veprimit dhe të mendimit të elementëve më të rrezikshëm të krimit të organizuar, që kishte arritur në atë pikë sa edhe vrasjet i porosiste online.
SPAK kërkon nga ana tjetër që kjo dosje dhe detaje të përmbajtjes së saj të mos publikohen duke dhënë si arsye sekretin hetimor. Ironike është që në të njëjtën kohë që kërkohet diskrecion për personazhe të botës së krimit bëmat e të cilëve i njeh e gjithë shoqëria shqiptare, nga SPAK-u rrjedh një dokument tjetër, në një shkelje shumë herë më të rëndë se sa publikimi i dosjes së kriminelëve.
Në media doli një shkresë e firmosur nga një prokuror i SPAK, që i drejtohet bankave të nivelit të dytë që të verifikojnë transfertat financiare të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Shkresa nuk ka as numrin e procedimit dhe as sqaron nëse Veliaj është pjesë e një procedimi penal dhe as nëse kërkesa drejtuar bankës është pjesë e një procedimi penal.
Nëse publikimi i një dokumenti hetimor rrezikon të kompromentojë hetimet për 50 kriminelë siç pretendon SPAK-u, çfarë ndodh kur hidhet në pazarin politik një dokument i një hetimi ende në fazë verifikimi? Cilët janë përgjegjegjësit për dëmin që u shkaktohet hetimeve? Po për shkeljen e ligjit të mbrojtjes së të dhënave?
Për këto pyetje, ka nevojë për një hetim penal të thelluar nga ana e SPAK për të kuptuar se kush qëndron pas akteve të dekonspirimit të punës së tij.
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.