SPAK aksion blic pa “dijeninë” e Ballës, ministri në Spanjë!

17 Maj 2024, 12:06Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Altin Dumani/ SPAK/ Taulant Balla/ Policia

Me urdhër të SPAK, policia dhe RENEA kanë nisur një operacion të gjerë në të gjithë vendin, në kërkim të personazheve të njohur të botës së krimit. Në total janë lëshuar më shumë se 40 urdhërarreste, për emra të njohur dhe të skeduar më parë nga drejtësia.

Ky aksion blic është mbajtur i fshehtë aq sa duket se nuk ka pasur “dijeni” as ministri i Brendshëm, Taulant Balla i cili ndodhet në Spanjë.

Siç duket dhe nga pamjet e mëposhtme të publikuar nga vetë ministri në Facebook, Balla ka patur një takim me patrullën e Policisë se Madridit mbi menaxhimin e trafikut rrugor, pajisjet që përdorin në funksion të rritjes së sigurisë rrugore.

Disa ditë më parë kreu i SPAK tha se për disa dosje nuk mund të bashkëpunojë me policinë e shtetit pasi po hetojne efektivë, madje me funksione të larta që kanë bashkëpunuar me krimin e organizuar.

Operacionet e SPAK janë përqënduar në Tiranë, në banesën e vëllezërve Duka në zonën e Freskut, në Nikël, në banesat e Valter dhe Durim Bamit, në Vlorë, në banesën e Fatmir Hysenit, si dhe në Durrës, në banesat e pjestarëve të fisit Avdylaj. Pjesë e kontrolleve ka qenë dhe banesa e Ervis Martinajt në Fushë Kuqe.

©CopyrightVoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video