Prokuroria nis verifikimin për Irena Gjokën, gjyqtarja rrezikon deri në 4 vite burg

9 Maj 2024, 12:06Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Irena Gjoka

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme dosjen e plotë të gjyqtares së posaçme, Irena Gjoka. Organi i akuzës, që ka për kompetencë verifikimin e formularëve të vetëdeklarimit në kuadër të ligjit të dekriminalizimit, ka nisur verifikimin e thelluar ndaj gjyqtares, pas publikimit të dy vendimeve të autoriteteve greke, që tregojnë dëbimin e saj në dhjetor të vitit 2002 për falsifikimin e vizës.

Vendimi i parë është marrë më 24 dhjetor 2002 nga autoritetet kufitare greke, që i ndaluan hyrjen pasi gjyqtarja është përpjekur të hyjë në Greqi me vizë të falsifikuar si minoritare me mbiemrin Shpata. Veç dëbimit, autoritetet greke i vendosën edhe ndalimin e hyrjes në zonën Shengen për 10 vite. Vendimi i dytë është marrë në 2004 nga gjykata administrative e Janinës, që rrëzoi ankimimin e gjyqtares Irena, Gjoka për shfuqizimin e dëbimit dhe shpalljes ‘non grata’ në Shengen.

Burime të Voxnews.al pohojnë se verifikimi i thelluar i prokurorisë së përgjithshme do të përqëndrohet në dy drejtime. I pari do të jetë formulari i vetëdeklarimit i plotësuar nga gjyqtarja Irena Gjoka. Formulari do të administrohet dhe verifikohen deklaratat e gjyqtares në të.

Në të njëjtën kohë, prokuroria e përgjithshme do të dërgojë një letër-porosi pranë autoriteteve greke për të tërhequr në rrugë zyrtare vendimin e gjykatës së Janinës për ndalimin e gjyqtares Irena Gjoka, që në atë kohë mbante mbiemrin Maneku.

Në rast se Prokuroria e Përgjithshme konfirmon zyrtarisht vendimin e dëbimit të Irena Gjokës, ajo jo vetëm rrezikon vendin e punës, por mund të përballet edhe me proces gjyqësor për veprën penale të “falsifikimit të formularëve”, që dënohet me 1 deri në 4 vite burgim.

Dritëhijet e vettingut dhe karrierës së gjyqtares Irena Gjoka

Irena Gjoka u emërua gjyqtare në shkallën e parë të Gjykatës së Posaçme në vitin 2019, kur ende nuk kishte kaluar në filtrat e vettingut, as në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe as në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Një vit më vonë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e konfirmoi në detyrë, megjithë shqetësimet e ngritura nga operacioni ndërkombëtar i monitorimit dhe Komisioneri Publik për pasurinë e saj. Në atë kohë, Komisioneri Dariel Sina kërkoi në KPA rrëzimin e vendimit të KPK-së dhe shkarkimin e Gjokës.

Shqyrtimi në KPA mori disa muaj kohë. Dariel Sina iku nga detyra e komisionerit publik dhe ankimimin e tij në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit e mori në dorë komisionerja Irena Nino. Nino u tërhoq nga kërkesa për shkarkimin e gjyqtares Gjoka dhe në qershor të vitit 2022, Irena Gjoka u konfirmua në detyrë.

Sipas vendimit të marrë nga trupa e përbërë nga Sokol Çomo, kryesues, Natasha Mulaj relatore, me anëtarë Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz dhe Albana Shtylla, Irena Gjoka kishte nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë, nivel të besueshëm për figurën dhe nivel të mirë kualifikues.

Në dy vendimet e konfirmimit në detyrë të gjyqtares Irena Gjoka, dy shkallët e vettingut janë bazuar te dokumentacionet e dorëzuara nga vetë gjyqtarja, si dhe nga dosjet e depozituara nga institucionet e tjera të ngarkuara nga ligji për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë.

Ligji i vettingut ngarkon DSIK që të verifikojë nëse mes kontakteve familjare, apo shoqërore të gjyqtares Gjoka ka persona të dënuar, të proceduar, hetuar, apo akuzuar si pjesëtarë, apo të lidhur me krimin e organizuar. ILDKPI-së ligji i kërkon që të depozitojë deklaratat vjetore të pasurisë së gjyqtares që nga koha kur është përfshirë si subjekt i deklarimit të pasurisë.

Sa i takon dënimeve brenda dhe jashtë vendit, ligji i vettingut ngarkon vetë subjektin e rivlerësimit, në këtë rast gjyqtaren Irena Gjoka, që të deklarojë në formularin e plotësuar prej saj. Por, sipas formularit të depozituar nga gjyqtarja në KPK, në pikën kur pyetet nëse ka ndonjë vendim ndaj saj nga gjykatat shqiptare apo të huaja, përgjigja është jo.

Çfarë do të ndodhte në KPK nëse Irena Gjoka do të deklaronte dënimin e gjykatës greke? Vlerësimi final sërish do të ishte në dorë të organeve të vettingut dhe interpretimit që ato mund t’i bënin këtij vendimi. Por, shembulli i ish-anëtarit të KPA, Luan Daci, që u shkarkua dhe ndoq penalisht sepse fshehu një masë disiplinore në karrierën e tij, sugjeron se edhe në rastin e Irena Gjokës, shkarkimi do të ishte i pashmangshëm.

©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video