Tenderët e vonuar (kriminale) të Onkologjikut, pas 6 muajsh do blihen pajisje të akseleratorëve!

2 Shkurt 2026, 22:06Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Tenderët e vonuar (kriminale) të Onkologjikut

Në muajin korrik të vitit të kaluar, pajisja e akseleratorëve në Spitalin Onkologjik në QSUT, pësoi dëmtime. Ngjarja u denoncua, por reagimi ishte tepër i ngadaltë. Dhe, e gjithë situata erdhi pas një dosjeje voluminoze të Prokurorisë së Tiranës, ku përgjimet nxorën një skemë të mirëfilltë sesi mjekët detyronin dhe pacientët që të shkonin në spitalet private.

Madje duke prishur gjithçka në Onkologjik, si aparaturat jetësore. Mosfunksionimi i tyre do të thotë pasoja fatale për pacientët, të cilët nuk marrin mjekimet në kohën e duhur. Gjithashtu, në këto kohëra, ka pasur vazhdimisht mungesa të medikamenteve, sërish ato jetësore, teksa askujt nuk i ka bërë përshtypje, pasi në këtë mënyrë pacientët kanalizoheshin sërish në spitalet private.

Por, kriminale në këtë rast është edhe mos reagimi në kohë i drejtorisë së QSUT-së, e cila gjatë kësaj kohe vëmendjen duket se e ka pasur te godinat dhe fasadat e jo te pacientët. Madje, kjo drejtori autorizoi edhe FSHZH-në që të bënte një hotel apo parkim në ambientet e spitalit, kur fare mirë mund të detyronte këtë institucion, ose qeverinë, që të plotësonte me pajisje dhe medikamente pavijonet e spitaleve, të cilat vijojnë të lëngojnë.

Tenderët e vonuar (kriminale) të Onkologjikut, pas 6 muajsh do blihen
Faksimile: Tenderi i hapur për blerjen e pajisjeve të akseleratorëve për Onkologjikun

Kur kanë kaluar më shumë se 6 muaj nga prishja e aparaturave në Onkologjik, më në fund shteti është kujtuar që të bëjë një tender. VoxNews ka mësuar se Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka hapur procedurën e prokurimit “zëvendësimi i disa pjesëve përbërëse të akseleratorëve linear në PAI-n Onkologjik”.

Mësohet se fondi limit i kësaj procedure është 47,563,000 lekë, teksa bëhet fjalë për shërbimet e lidhura me softëaret, instalimi hardware, shërbime instalimi të pajisjeve të radioterapisë, paketa mjekësore apo edhe paketa për industri specifike.

Por, përse kaq vonë? Çfarë i pengoi drejtuesit e QSUT-së t’i kërkonin qeverisë shtesë fondi? Apo edhe një fond të posaçëm për këto pajisje jetësore?

Mediat kanë raportuar në verën e vitit të kaluar se pajisja e rrezatimit, akseleratori linear, ndodhej jashtë funksioni. Në atë kohë, QSUT-ja e pranoi se akseleratori ka pësuar defekt më 27 qershor. Shpeshherë kjo pajisje nuk punon, por edhe kur vihet në punë, sërish ka probleme të vazhdueshme. Mësohet se në Onkologjik ka dy akseleratorë.

Tenderët e vonuar (kriminale) të Onkologjikut, pas 6 muajsh do blihen
Faksimile: Tenderi me vlerë rreth 960 mijë euro për të blerë barna për Shërbimin Onkologjik

Në të njëjtën kohë me hapjen e procedurës për të blerë pajisje, Operatori i Blerjeve të Përqendruara do të hapë së shpejti tenderin me objekt “blerje barna për mbulimin e nevojave të shtuara për disa barna në shërbimin Onkologjik, Hematologji etj, pranë QSUNT, me afat 24 muaj”.

Mësohet se vlera është 92,757,572 lekë, ose nëse do e konvertojmë në euro rreth 960 mijë euro. Kërkohen artikuj dhe produkte farmaceutike. Janë ato barna që kanë qenë në mungesë të vazhdueshme, ato të cilat rekomandoheshin nga mjekët e Onkologjikut, por nuk ishin në farmacinë e QSUT-së, por ndodheshin në farmacitë private rreth e qark spitalit.

Megjithatë, dy procedurat e vonuara tashmë janë shpallur në regjistrin e parashikimeve, ku sërish nuk dihet se kur do të bëhen, sa afat do të ketë apo dhe detaje të tjera. Këto vonesa janë tejet kriminale, pasi pacientët e atij spitali nuk mund të presin për javë apo muaj për pajisje dhe medikamente, por ato duhet të ishin bërë me kohë!

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016



Video