Gjyqtarja e Posaçme, Irena Gjoka ka gënjyer për 10 vite organet e drejtësisë, duke mohuar në formularin e dekriminalizimit, jo vetëm dënimin, por edhe dëbimin nga autoritetet greke, që vetë gjyqtarja e ka pranuar vite më parë përmes një prokure ku ka autorizuar një avokat grek për t’i hequr masën ndëshkuese.
Por, edhe pse mashtrimi i gjyqtares tashmë është dekonspiruar publikisht, madje edhe konfirmuar nga Prokuroria e Përgjithshme, që është organi përgjegjës për verifikimin e deklarimeve të bëra në formularin e dekriminalizimit, gjyqtarja vazhdon përpjekjet e saj për të vijuar edhe më tej në sistemin e drejtësisë.
Këtë e bën përmes një arsyetimi të dobët që ka dërguar në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Në këtë dokument, Irena Gjoka citon legjislacionin grek të asaj kohe, duke pretenduar se dënimi i saj për falsifikim nuk ishte vepër e parashikuar në Kodin Penal grek, por parashikohej në legjislacionin për të huajt.
Sipas logjikës së gjyqtares, akuza e falsifikimit nuk përbën vepër penale, por shkelje e një natyre tjetër sipas legjislacionit grek.
Së dyti, gjyqtarja thotë se vendimi nuk ishte i formës së prerë dhe kjo mjafton që të mos përbëjë shkak për mbarimin e mandatit të saj si gjyqtare. Edhe ky pretendim i saj rrëzohet nga shembujt e freskët që ka sjellë dekriminalizimi, ku rasti më tipik i të cilit është ish anëtari i KPA, Luan Daci, që u largua nga komisioni i vettingu sepse nuk kishte deklaruar në formular një vendim të shkarkimit të tij nga detyra në vitin 1996.
Irena Gjoka pretendon më tej se ILD nuk mund të nisë procedim disiplinor ndaj saj, jo sepse nuk ka asnjë dënim, por sepse dënimi ndaj saj nuk ka sjellë asnjë pasojë juridike dhe se ILD nuk mund të nisë procedime disiplinore pas 5 viteve nga koha kur ka ndodhur shkelja e pretenduar. E thënë më thjesht, gjyqtarja e posaçme i referohet procedurës për të shmangur hetimin disiplinor të ILD dhe jo thelbit, që në rastin e saj është mashtrimi në formularin e dekriminalizimit.
Përpos të gjitha këtyre, gjyqtarja Irena Gjoka kapet mat edhe nga formulari i dekriminalizimit dhe një deklaratë noteriale e 31 marsit 2003, ku ajo autorizon një avokat me shtetësi greke që ta përfaqësojë atë në përpjekjet për të hequr masat e dëbimit.

Dokumenti në fjalë bie ndesh me deklaratat që gjyqtarja ka bërë si në formularin e dekriminalizimit, ashtu edhe në parashtresat që ka paraqitur në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Te formulari i dekriminalizimit, gjyqtarja u është përgjigjur me jo të gjitha pyetjeve që kanë të bëjnë me dënimin, ndalimin, hetimin, apo dëbimin nga një shtet i huaj. Te parashtresat që dërgon në Këshillin e Lartë Gjyqësor pranon dënimin dhe ndalimin për të hyrë në Greqi, por thotë se nuk ishte në dijeni në kohën e plotësimit të formularit të dekriminalizimit.
Irena Gjoka e ka plotësuar formularin e dekriminalizimit më 22 prill 2016, ose pak më shumë se 13 vite nga deklarata noteriale ku autorizon avokatin në Greqi që t’i heqë vendimin e dëbimit të saj nga autoritetet greke.
Sipas logjikës së gjyqtares, në 2016 ajo nuk e dinte që kishte një vendim dënimi apo dëbimi nga autoritetet greke, edhe pse 13 vite më parë po ajo kishte firmosur një prokurë me një avokat grek për të kundërshtuar këto vendime.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.