Pazaret politike po largojnë edhe ata pak profesionistë nga drejtimi i institucioneve qendrore apo lokale. Situata e nderë politike, me skandale të shumta, qoftë në vendimmarrje apo edhe me dosje të SPAK-ut, ka sjellë që shumë profesionistë të largohen nga postet drejtuese. Shumë prej tyre janë vënë nën akuzë nga Prokuroria e Posaçme, teksa disa prej të cilëve iu mbijetuan skandaleve apo edhe dosjeve, po detyrohen që të largohen.
Nën arsyetimin e dorëheqjeve apo edhe rinovimit, duket se mandati i katërt ka sjellë që në krye të disa prej institucioneve shtetërore, të vendosen eksponentë nga opozita. Kjo me qëllim që të dobësohet rivali politik, ndërsa akoma më e rëndë është hedhja në rrugë e profesionistëve, ata të cilët mbijetuan për vite e vite me radhë. Tashmë çdo gjë është bërë pazar politik, pasi mazhoranca duket se është në ditët e saj më të brishta, duke marrë vendime aspak profesionale dhe jashtë çdo logjike.
Një nga këto vendime është padyshim largimi i Shkëlqim Hajdarit nga posti i kryeinspektorit të Përgjithshëm, në Inspektoriatin Qendror. Prej vitit 2016, Hajdari ka qenë në krye të Inspektoriateve, duke ndërmarrë nisma ligjore dhe duke kontrolluar agjencitë e shumta të krijuara nga vetë qeveria, e cila me politikat e saj vetëm sa ka mbivendosur institucionet, duke bërë dublime të padobishme të tyre.
Kërkesat e vazhdueshme të vetë Shkëlqim Hajdarit për të unifikuar praktikat e inspektimeve më në fund janë dëgjuar dhe është vënë në vijë i gjithë dokumentacioni. Dhe, kur dukej se gjithçka ishte rregulluar dhe tashmë shteti do të funksinonte, ja ku vjen vendimi i radhës, për t’a larguar nga detyra. Normalisht, “brrylat” brenda mazhorancës janë tepër të mëdha, duke qenë se SPAK-u vijon t’u qëndrojë te dera. Nën presionin e ndonjë akuze të mundshme, krerët e mazhorancës e gjetën “fajtorin”, duke e larguar Shkëlqim Hajdarin nga posti.
Pazaret politike tashmë po bëhen hapur dhe në mënyrë tepër banale, duke kaluar vijën e kuqe, pasi eksponentë të opozitës, që deri dje ça nuk thoshin dhe deklaronin për mazhorancës, papritur bëhen pjesë. Të gjithëve iu pëlqejnë të lëpijnë “ndonjë kockë”, duke qenë se vetë opozita ka shumë kohë pa pushtet dhe ato pak para’ nuk po duken gjëkundi, pasi mazhoranca i ka kapur të gjithë, që nga biznesmenët e ashtëquajtur të djathtë, ish-deputetët, kryetarët e PD-së në rrethe apo edhe disa ish-ministra.
Normalisht, lëvizje të tilla ka gjithmonë, por jo humbja e idealit apo edhe e forcës politike të mazhorancës, e cila megjithëse cilësohet si e “majtë”, vetëm si e tillë nuk po sillet, pasi vendos në poste kyçe eksponentë të opozitës, paratë i kanalizon te disa duar, po krijon kapitalistë të rinj, e të gjitha këto në kurriz të shqiptarëve, të cilët po shohin si të vetme alternative emigrimin, për të jetuar me dinjitet dhe me shërbime cilësore.
Vendimi i fundit duket si një hedhje në rrugë e një profesionisti, pasi nëse krerët e rinj apo të vjetër të mazhorancës nuk e dinë, Shkëlqim Hajdari është një profesionist, duke qenë se ka punuar në vitet ’90 si oficer policie në Tiranë, më pas si drejtues i policisë hetimore. Në vitet më të vështira të Shqipërisë, gjatë trazirave të vitit 1997, ai ka qenë oficer i policisë gjyqësore, detyrë të cilën e mbajti deri në vitet 2000, para se të emërohej si prokuror në Tiranë. Në vitin 2008, Shkëlqim Hajdari u emëruar drejtues i Prokurorisë së Apelit në Tiranë, detyrë që e mbajti deri në vitin 2015, ku pas një grindje me ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, ai u transferua si prokuror i thjeshtë në Shkodër.
Çdokush e di se ku është tashmë Llalla dhe ku ka qenë gjatë dekadës së fundit Shëlqim Hajdari, ku ish-kryeprokurori u hetua dhe dënua për korrupsion, ndërkohë që Çimi mori detyrën e kryeinspektorit në Inspektoriatin Qendror, në vitin 2016, për t’a mbajtur deri në fillim të vitit 2026. Detyra e tij e fundit ka qenë unifikimi i praktikave të inspektimeve, pasi shumë shpesh kemi parë që inspektorët e agjencive u shkonin bizneseve më shumë si “banda” për të zhvatur ndonjë gjë e jo për të rregulluar atë problematikat.
Normalisht, nëse Shqipëria do të ishte një vend që do të shpërblente meritokracinë, Shkëlqim Hajdari duhet të ishte emëruar direkt në krye të ndonjë institucioni tjetër. Megjithatë, krerët e mazhorancës janë në kohë, pasi në vend që të shikojnë për emra nga opozita, i kanë nga radhët e tyre!
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.