Pas drekave-darkave, Niko Peleshi hap tender 450 mijë euro për bileta udhëtimi!

8 Janar 2026, 22:52Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Niko Peleshi

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, po tenton që të shtojë benefitet e “baballarëve të kombit”, të cilët pas rrogës që iu shkon më shumë se 5 mijë euro, tashmë kanë luksin e drekave, darkave, koktejleve, apo edhe të udhëtimeve që s’do të kenë kurrfarë ndalese.

Duke qenë se, 83 ulëse janë për deputetët e PS-së, të cilat kanë një shumicë të frikshme, Peleshi tashmë po mendon më shumë për t’i kënaqur dhe jo për t’i bërë të aftë të punojnë, duke bërë dhe miratuar ligje të mira, që prekin mbarë shqiptarët.

Duket se tempulli i demokracisë në këtë legjislaturë do të jetë në shërbim të mazhorancës, pasi numrat e opozitës në atë Kuvend as nuk ngrenë peshë. Disa ditë më parë, Peleshi hapi tenderin me vlerë 100 mijë euro, por asnjë prej deputetëve të opozitës as nuk denjoi të bënte ndonjë reagim.

Ndoshta presin ndonjë kafshatë apo ndonjë gotë nga Peleshi. Tashmë, Kuvendi hap një tjetër tender, me vlerë disafish më shumë, ku pasi kanë ngrënë e pirë, deputetët kanë nevojë edhe për udhëtime!

Pas drekave-darkave, Niko Peleshi hap tender 450 mijë euro për bileta
Faksimile: Njoftimi i tenderit të hapur nga Kuvendi i Shqipërisë për blerje bileta udhëtimi

Normalisht, edhe pas këtij tenderi, asnjë prej deputetëve të PD-së s’do të ketë guximin që t’a denoncojnë, sërish në ndonjë shpresë për të kapur ndonjë biletë apo akomodim falas në Europë apo në vendet e tjera të botës.

Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, objekti i procedurës së prokurimit është “bileta për udhëtime ndërkombëtare”. Fondi limit është 45.000.000 lekë, ose mbi 450 mijë euro. Një shumë e konsiderueshme, por jo për arkat e buxhetit të shtetit, që i janë vënë në shërbim të vetë ministrave, deputetëve apo edhe drejtorëve.

Mandati i katërt ka sjellë këtë situatë, ku askush nuk reagon, madje askujt s’i bëjnë më përshtypje këto shpenzime. Gjithçka duket normale, pasi në një kohë që s’ka asnjë politikë për çiftet e reja, pensionet apo ndihmën ekonomike, vjen një tender i tillë.

Normalisht, Kuvendi apo ata deputetë duhet të mendojnë një politikë që të mbajnë në Shqipëri çiftet e reja, lehtësi në strehim apo pagesa për fëmijët. Madje, duhet të mendojë urgjentisht për pensionet tepër të ulta, të cilat janë në kufijtë e mbijetesës.

Duhet të mendojnë për shërbime, pasi spitalet po lëngojnë prej vitesh, ku shqiptarët e thjeshtë e kanë të “ndaluar” të sëmurën, pasi deputetët, familjarët e tyre, ministrat apo drejtorët e mëdhenj, kurohen jashtë vendit.

Për gjithë këto, e shumë të tjera, duhet të mendojnë këta “baballarë të Kombit” dhe jo për mënyrën ku do të udhëtojnë, në çfarë hoteli do qëndrojnë apo në çfarë restoranti do të shkojnë.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video