Debatet shterpë të ditëve të fundit po zhvendosin vëmendjen e përgjegjësve të vërtetë të projektimit dhe ndërtimit të aksit Qukës – Qafë Plloçë, një vepër e nisur në vitin 2009 dhe e përfunduar në verën e vitit 2025, plot 16 vite diferencë për të bërë vetëm 42 kilometra rrugë.
Por, disa muaj pas këtij përurimi, kanë filluar shembjet e disa segmenteve, gurë dhe mëdhenj po u rrezikojnë jetën kalimtarëve, ndërsa ditët e fundit balta dhe dherat kanë pushtuar sërish këtë segment, duke e mbyllur për qarkullim për të disatën herë.
Por nëse në terren situata është e nderë, teksa drejtuesit e mjeteve qarkullojnë nga rruga e Qafë Thanës, në qarqet politike dhe mediatike të Tiranës ka filluar një debat për përgjegjësit, ku mazhoranca aktuale çirret me të madhe se “fajin e ka Berisha kur e projektoi”, ndërkohë që vetë mbështetësit e Berishës deklarojnë se “fajin e ka Rama dhe Balluku”.
Debatet e mazhorancës përqendrohen te institucionet, zyrtarët apo edhe firma që e projektoi veprën, ndërkohë që opozita ia hedh fajin qeverisë se ndërtoi një rrugë që vazhdimisht shembet, pavarësisht se vlera fillestare u rrit me dhjetëra miliona euro.
Në përpjekje për të hedhur sadopak dritë mbi gjithë këtë debat, po u kujtojmë mazhorancës dhe opozitës se të dyja janë fajtore! Opozita e sotme në vitin 2009 ka drejtuar qeverinë, teksa bëri disa tendera me shpejtësi në atë kohë për t’a projektuar dhe ndërtuar për zgjedhjet e atij viti. Madje, nga foltorja e një mitingu në Korçë, ish-kryeministri Sali Berisha do të deklaronte se “po ndërtojmë rrugën Egnatia, aq shumë të kërkuar nga e gjithë zona.

Jo të gjithë “fajin e ka Saliu”, pasi mazhoranca e sotme, e ardhur në pushtet në vitin 2013, gjatë këtyre 12 viteve e gjysmë në pushtet, ka shtuar tmerrësisht koston, nga 150 milionë euro që ishte vlera fillestare në 260 milionë në momentin që tha se e përuroi në verën e 2025-ës. Pra, 110 milionë euro më shumë për të “ndrequr” gabimet e Berishës.
Në disa dalje publike gjatë viteve të fundit, kryeministri Edi Rama do të deklaronte se “këto janë ato projektet e Saliut, me gabime trashanike”. Por, nëse kishte gabime dhe ato u rregulluan, me plot 110 milionë euro shtesë, apo edhe me kostot e mirëmbajtjes, përse po shembet rruga?
Në vitin 2009, për kujtesë të lexuesve, në pushtet ka qenë qeveria “Berisha 2”, ku ministër i Infrastrukturës ka qenë i ndjeri Sokol Olldashi, i cili e mori postin në vitin 2007.

Vox News shfletoi të dhënat zyrtare nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, ku rezulton se ndërtimi i rrugës Qukës – Qafë Plloçë ka nisur 16 vite më parë. Vetë Autoriteti shkruan se sipërmarrësi i punimeve i lotit të larë është BOE “JV Sintram & Albavia”, ndërkohë që mbikëqyrësi i punimeve është firma “CEC”.
Në këtë dokument të siguruar nga Vox News është edhe emri i firmës projektuese, e cila rezulton të jetë “A.I.C Progetti”, një kompani italiane. Punimet kanë filluar në datën 1 korrik të vitit 2015 dhe vlera e punimeve ka qenë 38 milionë USD.
Ndërkohë, loti i dytë ka si sipërmarrës të punimeve firmën “Combain Group”, teksa firmat projektuese dhe mbikëqyrëse janë të njëjta me lotin e parë. Punimet kanë filluar në datën 1 korrik 2015 dhe vlera e punimeve ka qenë 63 milionë USD. Më vonë, këto vlera, si të lotit të parë, të dytë dhe të tretë, kanë ndryshuar, duke u shtuar shuma të frikshme, por sërish s’e zgjodhën problematikën!

Vox News siguroi gjithashtu ekskluzivisht dokumentet e tenderit të projektimit të rrugës Qukës – Qafë Plloçë, plot 16 vite e gjysëm më përpara. Dokumenti i mësipërm është i vitit 2009, i shpallur nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, sot Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Bëhej fjalë për shërbim konsulence, prokurim elektronik, teksa objekti i prokurimit është “studim, projektim rruga Qukës -Pogradec – Qafë Plloçë”. Fondi limit i procedurës së atëhershme ka qenë 162.793.820 lekë, teksa afati i kryerjes së shërbimit ka qenë 12 muaj nga data e nënshkrimit të kontratës.

Me një shpejtësi tepër të madhe, duke qenë se ishte koha para zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009, qeveria e atëhershme shpalli fituesin e tenderit të projektimit të rrugës, për t’i hapur më pas rrugën ish-kryeministrit Sali Berisha për t’a përdorur gjatë fushatës elektorale.
Në datën 2 prill të vitit 2009 u shpall fituesi i kësaj procedure, ku rezultoi se ishte kompania “AIC Progetti”, një kompani italiane që ka vepruar edhe më pas në Shqipëri, duke hapur një degë në territorin tonë. Oferta e kompanisë italiane ishte shumë afër limit, ose mori 99 % të fondit të akorduar, me një vlerë 162.340.000 lekë pa TVSH.


Vox News shfletoi edhe faqen e internetit të kompanisë italiane, ku rezulton se “AIC Progetti” e reklamon projektimin e këtij aksi ende sot e kësaj dite në internet, si një “histori suksesi”, pavarësisht se disa qarqe politike dhe mediatike gjithmonë e më shumë po këmbëngulin se projektimi është bërë gabim.
Vetë kompania italiane shkruan se rruga është e gjatë 42 kilometra dhe klienti i sa ka qenë Ministria e Infrastrukturës. Ajo shkruan se ka punuar nga muaji qershor 2009 deri në dhjetor 2010. Sipas saj, është një rrugë me një lartësi nga 700 deri në 1200 metra lartësi dhe është malore. Ka pasur 28 viadukte dhe 1 tunel natyral. Ka parashikuar edhe shtresat e çakullit, bitumit dhe asfaltit. “Projekti është veçanërisht kompleks për shkak të morfologjisë së zonës që kërkonte përdorimin e mureve mbajtëse në seksione të gjata” shkruan firma.
Më tej shkruante se themelet e strukturës janë si mbi shtylla ashtu edhe në sipërfaqe. Nuk e dimë nëse janë zbatuar ose jo me përpikmëri të gjitha këto projektime, për shkak të kohës së gjatë, ndërprerjeve të punimeve për vite me radhë dhe ndryshimit të projektit disa herë.

Në datën 29 maj 2009, ende pa u lidhur kontrata për projektimin, qeveria e asaj kohe hapi me shpejtësi një tender me objekt “ndërtim rruga Qukës – Qafë Plloçë, loti 1”. Vlera e tenderit ka qenë 487.192.142 lekë, teksa afati ishte 14 muaj kalendarike.
Tenderi ishte vetëm për zgjedhjet e muajit qershor 2009, ndërkohë që pas asaj kohe, janë hapur me radhë tenderët e loteve të tjera, pavarësisht se gjatë qeverisë “Berisha 2” janë ndërtuar vetëm 2 kilometrat e parë. Por, edhe për këto kilometra, qeveria e sotme hapi tenderin “plotësim i punimeve në segmentin rrugor Qukës – Qafë Plloçë”. Sipas dokumenteve, fondi ishte 335 milionë lekë, ose rreth 3.5 milionë euro. Në relacionet shpjeguese, ARRSH thotë se ka bërë një verifikim të punimeve të mbetura në Lotin 0.
Megjithatë, më skandalozja është se, pavarësisht se kostoja ishte parashikuar për t’u ndërtuar për 150 milionë, shuma shkoi në 260 milionë dhe sërish, me këto shembjet e reja, do të duhen të tjera para.
Autoriteti shkruan se projektet e para gjatë implementimit janë konstatuar në studime empirike, pra të përgjithshme, dhe jo të detajuar sidomos për veprat e artit, tunelet si dhe mbrojtjen e skarpateve. Sipas saj, gjurma konsistonte në zona rrëshqitëse, me nivel të lartë të ujërave nëntokësorë dhe me morfologji variabël dhe të paqëndrueshëm të terreneve malorë.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.