Altin Ndoci, një person me rrezikshmëri të lartë, arriti të arratisej mesditën e së Martës, më 13 janar, nga Spitali i Durrësit.
I burgosur prej gjashtë vitesh, 38-vjeçari arriti të “fitojë lirinë” duke shfrytëzuar një vizitë mjekësore, e cila ishte planifikuar në pavionin e infektivit të spitalit rajonal të qytetit të Durrësit.
Dhe pse ishte i shoqëruar nga 5 efektivë policie, të thënat e para flasin se vetëm dy prej tyre e shoqëruan Ndocin në ambjentet e brendshme të spitalit, ku ai ia doli të realizojë planin e arratisjes.
Ndoci ishte shoqëruar nga pesë efektivë policie: një shofer, dy të tjerë që qëndronin brenda makinës dhe dy që e shoqëronin në ambientet e spitalit.
Të dhënat paraprake tregojnë se fillimisht Ndoci i kërkoi njërit prej efektivëve të shkonte në tualet, që ndodhet ngjitur me dhomën ku po kryente ekzaminimet.
Njëri prej policëve ka hapur derën dhe tjetri ka tentuar t’i vendosë prangat. Në këtë moment, Ndoci i ka qëlluar dhe është larguar me vrap nga kati i tretë përmes shkallëve dhe ka zbritur në pjesën e jashtme të spitalit.
Duke dalë në pjesën e jashtme, ai iu drejtua drejt parkimit, ku dyshohet se e prisnin dy makina.
Njëra prej tyre, një Audi A7 luksoz ngjyrë gri me targa AA700RS, u bë mjeti i largimit të Altin Ndocit.
Ja pikat kryesore ku është gabuar në procedurë që çoi në arratisjen e Altin Ndocit:
1. Mungesa e prangave në transport dhe në spital
Pamjet tregojnë se Altin Ndoci është sjellë në spital pa pranga, kjo ka krijuar mundësinë të lëvizë lirshëm brenda spitalit përpara arratisjes.
Sipas standardeve të sigurisë për të burgosurit me rrezikshmëri të lartë, transporti dhe qëndrimi jashtë institucionit duhet të monitorohet me masa që sigurojnë kufizimin e lëvizjes, përfshirë përdorimin e prangave kur është e nevojshme, në përputhje me vlerësimin e rrezikshmërisë.
Në këtë rast, duket se mund të ketë pasur nënvlerësim të rrezikut, pasi ai arriti të dilte pa pengesa efektive.
2. Përqendrimi i efektivëve jashtë dhomës mjekësore
Policët që e shoqëronin ishin jashtë dhomës së vizitës mjekësore, jo brenda, në përputhje me një rekomandim të Avokatit të Popullit për të mos qenë në të njëjtat ambiente si pacienti gjatë vizitës.
Kjo praktikë mund të jetë bërë nga ndërgjegjësim i drejtë për privatësinë dhe dinjitetin mjekësor, por tek një person i shpallur me rrezikshmëri shumë të lartë, prania e efektivëve të sigurisë afër ose brenda dhomës është standard për të parandaluar arratisjet.
Në këtë rast, vendosja e rojeve jashtë derës mund t’i ka dhënë mundësinë të burgosurit të krijonte një hapësirë dhe moment dobësie (nga ana e policëve të burgjeve) për të dalë jashtë.
3- Planifikimi dhe koordinimi i mangët i shoqërimit
Ndoci ka përdorur rastin, duke kërkuar të shkojë në tualet, dhe më pas ka sulmuar efektivin për të krijuar mundësinë e arratisjes.
Efektivët nuk duket se kanë planifikuar me kujdes itinerarin e sigurisë brenda dhe jashtë objektit të spitalit, përfshirë mënyrën e kontrollit të lëvizjes dhe identifikimin e pikave të mundshme të arratisjes.
Megjithëse kishte efektivë, numri dhe pozicionimi i tyre nuk ishte i mjaftueshëm për të neutralizuar një sulm të një të burgosuri shumë të rrezikshëm.
4. Ngritja e dyshimeve për organizim të arratisjes
Ndoci mund të ketë pasur bashkëpunim të jashtëm, dhe një automjet priste jashtë spitalit, duke sugjeruar një plan të strukturuar arratisjeje.
Në raste të tilla, për persona me rrezikshmëri të lartë, zakonisht kërkohet produktivitet i sigurimit shtesë, përfshirë koordinimin me policinë vendore apo forca speciale, që nuk duket se është kërkuar apo ofruar në këtë rast.
Ku ka dështuar procedura?
1- Nënvlerësimi i rrezikshmërisë reale të të burgosurit, duke mos aplikuar masa sigurie të duhura.
2- Pozicionimi i efektivëve jashtë dhomës mjekësore dhe jo prania e tij në momente kyçe.
3- Siguria e pamjaftueshme në transport dhe gjatë qëndrimit në spital, përfshirë mungesën e prangave.
Itinerari i lëvizjes së Altin Ndocit:
Blutë kanë zbardhur itinerarin fillestar të lëvizjes së Ndocit përmes pamjeve të kamerave të sigurisë.
38-vjeçari pasi ka dalë nga spitali, me makinën “Audi A7” ka kaluar nëpër rrugët e Spitallës, më pas shfaqet në Shënavlash, në vijim në autostradë dhe dyshohet se ka hyrë në Tiranë.
Nga verifikimi që është bërë në spital, Ndoci ka marrë mjekimin dhe pas përfundimit të procedurave mjekësore, ka ndërmarrë aktin e arratisjes.
Personat e arrestuar:
Tetë persona u vunë në pranga në lidhje me arratisjen e Altin Ndocit një ditë më parë (13 janar) nga spitali i Durrësit, mes tyre është edhe një efektiv i policisë së Burgjeve, shtetasi Fatjon Baçi.
Ky i fundit është i pandehur nga SPAK pasi i dha telefonin celular Erion Veliajt për të komunikuar me familjarët e tij gjatë kohës kur ai transportohej nga burgu për në ambientet e GJKKO.
Po ashtu në pranga u vunë edhe Aulon Çuko Kryeinfermieri, Desdemon Pazaj, zëvendës shefi i policisë se burgjeve, si dhe Pesë policët e shoqërimit: Dorjan Saraçi, Sal Ferollari, Preng Marvataj, Fatjon Baçi, Aranit Çela dhe Violeta Uka.
Si ndodhi ngjarja:
Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme kur Altin Ndoci, i akuzuar për një sërë veprash të rënda penale, përfshi vrasje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, u arratis ndërsa shoqërohej për një vizitë mjekësore në spitalin e Durrësit.
Ai dyshohet se ka kërkuar të shkojë në tualet, ku ka shfrytëzuar rastin për t’u arratisur. Mësohet se Ndoci ka goditur edhe një efektiv dhe me pas është larguar me vrap. Me pas ai ka hipur ne një automjet “Audi” dhe është larguar.
“I paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore”, njoftoi Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Altin Ndoci po gjykohet për një sërë veprash penale të rënda dhe në dosje të ndryshme.
Së fundmi, ai u dërgua për gjykim nga SPAK në tetor 2025, si pjesë e organizatës kriminale për të cilën akuzohen vëllezërit Çopja.
I arrestuar prej vitit 2020, Ndoci është identifikuar nga të penduar të drejtësisë si pjesëmarrës në disa atentate në luftën mes grupeve kriminale në vend.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk i sqaroi rrethanat e arratisjes.
Ajo bëri me dije se Ndoci ishte shoqëruar në spital nga strukturat e burgjeve dhe se arratisja ka ndodhur brenda godinës së përshtatur për trajtimin e të burgosurve.
Mungesa e bashkëpunimit dhe koordinimit me Policinë e Shtetit, rekomandimi i Avokatit të Popullit, neglizhenca e shoqëruesve dhe moszbatimi i procedurës, duket se i dhanë "lirinë" e parakohshme 38-vjeçarit, Altin Ndoci.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.