Ilir Banushi dhe Kreshnik Tepelena, dy “biznesmenët” që po falimentojnë Portin e Vlorës: Bilance negative, 3 muaj pa paga…

12 Janar 2026, 18:34Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Porti i Vlores

Ilir Banushi dhe Kreshnik Tepelena drejtojnë prej shumë vitesh Portin Detar të Vlorës, i pari si drejtor dhe i dyti si nëndrejtor. Të dy i lidh një e përbashkët, biznesi, pasi si Banushi ashtu edhe Tepelena, krahas posteve të rëndësishme shtetërore, janë edhe pronarë kompanish. “Përvoja” në sektorin privat nuk i ka ndihmuar që të administrojnë pronën shtetërore, pasi çdo vit, muaj, javë apo ditë, Porti Detar i Vlorës po humbet shkëlqimin.

Nga njëra anë “kafshimi” i territorit të Portit nga ana e subjekteve private, pasi në atë territor po ndërtohen godina shumëkatëshe dhe nga ana tjetër keqmenaxhimi i dy drejtuesve, të cilët as e kanë vënë “ujin në zjarr” se çfarë ndodh me rrogat apo bilancin. Dhjetëra punonjës të Portit Detar të Vlorës i janë drejtuar redaksisë së VoxNews ku denoncojnë veprimet e drejtuesve.

“Punonjësit e Portit Detar të Vlorës të jenë prej tre muajsh pa marrë rrogat e tyre. Këta punonjës përballen çdo ditë me kushte pune skandaloze. Terminali i portit ndodhet në gjendje të rëndë infrastrukturore. Lagështira ka dëmtuar seriozisht ambientet dhe ekziston rreziku real që tavani të shembet, duke vënë në rrezik jetën e punonjësve, policisë kufitare dhe pasagjerëve që udhëtojnë drejt Italisë”, pohojnë punëtorët për redaksinë tonë.

Sipas tyre, pagat e punonjësve janë në nivele qesharake dhe të pamjaftueshme për të përballuar jetesën. “Punonjësit e Portit të Vlorës kërkojnë vetëm atë që u takon me të drejtë, pagesën e menjëhershme të rrogave të prapambetura, përmirësimin urgjent të kushteve të punës dhe respekt për dinjitetin e tyre njerëzor dhe profesional” thanë disa prej tyre.

Ilir Banushi dhe Kreshnik Tepelena, dy “biznesmenët” që po
Faksimile: Bilanci financiar i Portit të Vlorës, ku për 2023 dhe 2024 rezulton me humbje

VoxNews ka mësuar se e gjithë situata në Portin Detar të Vlorës është sureale, pasi drejtuesit po mundohen që këtë aset strategjik të Shqipërisë t’a falimentojnë. Kjo në kurriz të vetë shtetit dhe të punëtorëve të varfër, duke qenë se fillimisht këtij Porti iu mor territori, më pas i transferuan vetëm me letra në Triport, por edhe atje ende s’ka përfunduar, për shkak se koncesioni i dhënë ka ndryshuar disa herë “duar”. 

Redaksia jonë shfletoi dokumentet zyrtare, ku rezulton se disa muaj më parë, Asambleja e Përgjithshme e Portit Detar të Vlorës ka miratuar pasqyrat financiare. Mësohet se në vitin 2024 shoqëria ka dalë me një fitim prej rreth 100 mijë eurosh. Ky fitim është përdorur për të mbuluar humbjen e mbartur, ku rezulton se deri në vitin 2025, shoqëria ka një humbje prej 23 milionë lekësh të rinj.

Ilir Banushi dhe Kreshnik Tepelena, dy “biznesmenët” që po
Faksimile: Porti Detar drejtohet nga Ilir Banushi dhe Kreshnik Tepelena, teksa janë të punësuar rreth 100 persona

VoxNews shfletoi të dhëna të tjera zyrtare për Portin e Vlorës, e cila operon si një sh.a, ndërkohë që është themeluar në datën 23 mars 1999.

“Në datën 31 dhjetor 2024 kapitali i nenshkruar i shoqërisë Porti Vlorë sh.a. është 181,646,000 leke. Administrator i shoqërisë është z. Ilir Banushi ndërsa ortak i vetëm i shoqërisë është Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Veprimtaria kryesore e Shoqërise është koordinimi i aktiviteteve tregtare brenda territorit të portit, ndërtim, menaxhim, ruajtje objektesh brenda portit, shkarkim mallrash për llogari të subjekteve juridike dhe shtetërore”, thuhet në dokumente.

Mësohet se pjesa më e madhe e buxhetit shkon për paga dhe shpërblime, në shifra që shkojnë deri në rreth 1 milionë euro në vit. Në vitin 2023, shoqëria ka pasur 110 punëtorë, ndërkohë që deri në fund të vitit 2024, në Portin e Vlorës kanë punuar 99 persona. “Pjesë e këshillit të administrimit janë Ilir Banushi dhe Kreshnik Tepelena, ndërsa e Këshillit Mbikëqyrës janë Bejko Late, Krist Bonjaku, Oriana Arapi dhe Lilika Radovicka” thuhet në dokument.

Ilir Banushi dhe Kreshnik Tepelena, dy “biznesmenët” që po
Faksimile: Drejtori dhe nëndrejtori kanë në emër të tyre biznese, teksa emri i Kreshnik Tepelenës lidhet me pronat e Afrim Shehut në Zvërnec

Por kush janë 2 drejtuesit që po falimentojnë Portin Detar të Vlorës? VoxNews mëson se drejtori Ilir Banushi ka në pronësi një kompani, të quajtur “IDE 360”, teksa ai ka deklaruar se edhe bashkëshortja e tij ka një biznes privat. Para se të merrte detyrën ka deklaruar të ardhura të ulta, ndërkohë që sapo mori detyrën e drejtorit, financat e familjet kanë lulëzuar, aq sa një nga djemtë e tij është marrë edhe me kriptomonedha.

Ndërkohë, nëndrejtori Kreshnik Tepelena është një emër akoma më i njohur në Vlorë, i proceduar dhe hetuar disa herë nga Prokuroria e Vlorës për abuzime me detyrat e mëparshme. Tepelena njihet si kushëriri i Afrim Shehut, një biznesmen në arrati, i cili pretendon se është pronar i gjysmës së Vlorës.

Tepelena ka 3 biznese në pronësi, teksa emri i tij lidhet me një sipërfaqe të madhe prone, zonë ranore dhe pyjore në Zvërnec. Me lidhjet me persona me precedentë penalë apo me lidhje politike, Tepelena ka kërcënuar persona që shfrytëzonin plazhet me leje nga Agjencia e Bregdetit.

Vitet kalojnë dhe të dy, Banushi dhe Tepelena, me lidhjet apo bëmat e lartpërmendura, vijojnë të drejtojnë Portin Detar të Vlorës, duke e çuar drejt humnerës, e gjitha në dëm të vetë shtetit dhe të qindra punëtorëve.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.



Video