
Qeveria po has vështirësi në shlyerjen e detyrimeve kontraktuale në koncesionet që ka dhënë, sidomos në fushën e shëndetësisë.
Kjo është arsyeja që një urdhër gojor i brendshëm u është transmetuar spitaleve rajonale në të gjithë vendin që të ‘shtrëngojnë’ rripin në shpenzime.
Burime të Voxnews.al pohojnë se duke qenë se në këtë sektor pjesa më e madhe e koncesioneve janë dhënë në bazë të numrit të pacientëve që u ofrohet një shërbim i caktuar, kostoja vjetor ndryshon nga viti në vit.
Spitalet rajonale në vitet e kaluara i kanë shpenzuar paratë që u jepen nga buxheti i shtetit për analizat, apo shërbimet laboratorike të dhëna me koncesion brenda gjysmës së parë të vitit dhe më pas kanë aplikuar për fonde shtesë nga Ministria e Shëndetësisë.
Por, këtë vit kërkesat e tyre janë refuzuar deri më tani dhe Voxnews.al mund të konfirmojë në mënyrë të pavarur një urdhër të brendshëm të dhënë nga spitali i Beratit, ku u kërkohet mjekëve që të adresojnë për analiza dhe shërbime të tjera laboratorike, që zotërohen nga kompani koncesionare, vetëm rastet urgjente. Urdhri u publikua edhe nga deputeti i LSI-së, Petrit Vasili.
Shëndetësia është i vetmi sektor. Vonesa të pagesave të dietave ka edhe për mësuesit, policët dhe punonjës të tjerë të institucioneve shtetërore, një pjesë e të cilëve, siç mëson Voxnews.al nuk kanë marrë ende shpërblimet e muajit janar, megjithëse ësthë duke u mbyllur muaji mars.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.