Ashtu si individët marrin kredi dhe iu duhet një person tjetër garantor nëse nuk arrijnë ta shlyejnë detyrimin edhe me institucionet shtetërore funksionon i njëjti mekanizëm.
Kur ente shtetërore marrin kredi, është qeveria shqiptare që del garant dhe në këtë rast quhet Borxh i Garantuar.
Për vitin 2020, Borxhi i Garantuar është vlerësuar në masën 48.8 miliardë Lekë ose rreth 3.1% e PBB-së), pra rreth 7 miliardë Lekë apo 16.6% më shumë krahasuar me vitin 2019.
Edhe gjatë vitit 2021, Borxhi i Garantuar ka patur trend rritës dhe sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë shënon vlerën 54.9 miliardë Lekë nga 48.8 miliardë në vitin 2020 pra 6.1 miliardë më shumë krahasuar me totalin e vitit 2020.
Për vitin 2020 garancitë në sektorin energjetik zënë rreth 67.2% të totalit të garancive shtetërore.
Me shpalljen e gjendjes së krizës energjetike nga ana e Qeverisë, mekanizmi i garancive sovrane është përdorur si formë mbështetjeje për kompanitë. Kjo ndikon në rritjen e nivelin e Borxhit Publik si dhe në rritjen e detyrimeve kontigjente që mund ti lindin Shtetit në çdo moment nëse kompanitë që kanë përfituar kredi me garanci nga shteti, nuk janë në gjendje ta likuidojnë atë.
Vetëm për tremujorin e fundit të vitit 2021 Shteti ka dal garant për 151.5 milionë Euro apo rreth 18.3 miliardë Lekë të marra hua nga kompanitë publike energjetike tek institucionet e huaja dhe vendase si në vijim:
-Me Vendim të Këshillit të Ministrave nr.705 datë 18.11.2021, mes OSHEE dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim është miratuar marrëveshja e huasë dhe e garancisë me vlerë 70 milionë Euro, me qëllim mbështetjen e OSHEE-së për reagimin ndaj krizës së pandemisë Covid-19.
-Me VKM nr.706, datë 18.11.2021) Këshilli i Ministrave ka miratuar dhënien e dy garancive sovrane për kreditë e marra nga OSHEE, në vlerën 30 milionë Euro në 2 banka të nivelit të dytë.
- Me VKM nr. 737, datë 03.12.2021 janë dhënë garanci shtetërore për kredinë e marrë nga OSHEE dhe FSHU në vlerën 20 milionë Euro dhe me VKM nr.738, datë 03.12.2021 janë dhënë garanci edhe për dy kredi të tjera të marra nga kompanitë Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU) sh.a., OSHEE Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL) sh.a. Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), në vlerën 16.5 milionë Euro dhe 15 milionë Euro.
Miratimi i këtyre Garancive, rrit peshën e Sektorit të Energjisë në Borxhin e Garantuar në afërsisht 10% më shumë krahasuar me vitin 2020.
Dhënia e Garancive Shtetërore për kreditë e marra nga kompanitë publike që operojnë në sektorin energjetik në mënyrë indirekte rrit detyrimet kontingjente të shtetit. Në këto marrëveshje huaje kompanitë dhe borxh dhënësi janë të mbrojtura, nëse ato nuk shlyejnë detyrimet, apo në rast të pamundësisë, kreditë do të paguhen nga buxheti i shtetit.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.