‘Jemi në luftë’, abuzimi i Kastratit e Gegës që brenda ditës rritën me dy herë fitimet e tyre

10 March 2022, 17:08Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
‘Jemi në luftë’, abuzimi i Kastratit e Gegës që
Shefqet Kastrati dhe Paulin Gega

Që çmimi i naftës është rritur në tregjet globale është fakt, por është gjithashtu fakt se rritja e çmimit në tregjet ndërkombëtare është reflektuar dyfish në Shqipëri në krahasim me vendet e rajonit.

Në dy javët e fundit, nafta në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Serbi është rritur nga 1.2 euro në 1.4 deri në 1.5 euro. ose 30 deri në 50 lek për litër. Në Shqipëri, dy javë më parë një litër naftë shitej 190 deri në 196 lek për litër.

Çmimi kërceu sa hap e mbyll sytë në mbi 260 lek dhe në disa pika karburantesh është regjistruar edhe tabela 290 lek për litër. Pra, nafta në Shqipëri për 2 javë u rrit nga 70 deri në 100 lek për litër dhe e gjitha në një kohë kur OPEC deklaron se rritja e çmimeve të naftës nuk ka lidhje me mungesën e këtij produkti në treg, por me situatën e panikut që ka kapur tregjet prej luftës në Ukrainë.

Megjithatë, në Shqipëri mendon ndryshe Shoqata e Hidrokarbureve, ose më saktë shoqata “Kastrati” e “Gega”, që janë dy importuesit më të mëdhenj të karburanteve në vend, të cilët kanë në dorë edhe çmimin. Shoqata na doli kundër OPEC-ut duke thënë se tani nuk është problem çmimi, por sigurimi i furnizimit.

E vërteta nuk lidhet më shumë me sigurinë e furnizimit, se sa me grykësinë për të përfituar nga kjo situatë, si gjithmonë, sepse prej vitesh tregu i hidrokarbureve në Shqipëri reflekton vetëm rritjen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe jo kur ato ulen.

Kastrati dhe Gega prej vitesh zotërojnë bashkë pjesën dërrmuese të tregut, si të importit, ashtu edhe të shitjeve me pakicë në treg. Vetëm Kastrati zotëron 70 për qind të tregut me shumicë dhe 50 për qind të atij me pakicë.

Si Gega, ashtu edhe Kastrati justifikohen me rritjen e menjëhershme të çmimeve të karburanteve në rastet kur ka rritje në tregjet ndërkombëtare për shkak të mungesës së parave për të mbushur depozitat plot. Kompanitë deklarojnë se kapacitetet e depozitave të tyre kanë nga 70 deri në 90 mijë tonë.

Mbushja e plotë e tyre kërkon mbi 100 mln dollarë, para që thonë se asnjëra nuk i ka dhe për këtë arsye operojnë në bursa ditore duke importuar 1 mijë deri në 2 mijë tonë karburante në ditë. Por, pyetja që ngrihet është se si ka mundësi që as Kastrati dhe as Gega nuk kanë mundësi financiare të mbushin depozitat e tyre, në një kohë që e para deklaron 12 mld lek fitim për vitin 2019 (ose rreth 100 mln euro) dhe e dyta 6 mld lek fitim (ose rreth 50 mln euro) po për vitin 2019?
Që arsyetimi i dy kompanive është i dyshimtë përforcohet edhe nga fakti që në 2019-n, policia shpalli në kërkim administratorin e Gega Oil, Paulin Gegën me akuzën e shmangies së taksave dhe pastrimin e parave, ndërsa Kastrati është akuzuar për pozitën dominuese në tenderat e furnizimit me karburant të institucioneve shtetërore, ku në 50 për qind të rasteve shpallet kjo kompani fituese.

Kjo është njëra anë. Ana tjetër është cilësia e naftës. Në 2017-n, një investigim në kuadër të një projekti të financuar nga Ambasada Amerikane në Tiranë zbuloi se cilësia e naftës që tregtohet nga Gega Oil dhe Kastrati ishte mjaft e ulët në krahasim me të njëjtin produkt në vendet e rajonit.

Investigimi zbuloi faktin se nafta në Shqipëri është krejtësisht jashtë standardeve me të cilat tregtohet në letër dhe në pjesën dërrmuese është gazoil i përzier me solar, apo vajguri dhe rafinimi i produktit nuk bëhet i plotë. Veç kostos dhe ndikimit që ka në amortizimin dhe shkatërrimin e automjeteve, kjo lloj nafte ka një kosto marramendëse edhe në mjedis, pasi çliron në ajër lëndë toksike kancerogjene.

Qeveria ‘bashkëfajtore’

Ngado të rrotullohesh Qeveria nuk del dhe s’mund të dalë asnjëherë pa përgjegjësi në këtë çmim, sepse po të ishte ndryshe, atëherë çmimi i karburanteve do të ishte njësoj kudo. Shqipëria e ka çmimin njësoj me Italinë dhe me Zvicrën, por në krahasim me vendet e rajonit e ka këtë çmim 40 deri në 50 lek më shtrenjtë.

Taksat luajnë rolin e tyre në këtë drejtim, por në rastin e Shqipërisë ato nuk janë vendimtare. Vendimtar në përcaktimin e këtij çmimi është tregu në trajtën e oligopolit, duke filluar që nga importi e deri te shitja me pakicë nëpër pikat e karburanteve.

Dy janë pikat nga ku hyn e gjithë sasia e karburantit në Shqipëri, Petrolifera Italo-Albanese në Vlorë dhe Porto Romano MBM. Të dyja janë pika të dhëna me koncesion nga dy qeveri të ndryshme. I pari është dhënë nga qeveria e Fatos Nanos me skemën “ndërto, opero dhe zotëro”, ndërsa i dyti është dhënë nga qeveria “Rama 2” në Porto Romano në Durrës që zotërohet nga “Adriatic Bay Investment Group shpk”.

Kush qëndron pas tyre? Në koncesionin e parë qëndron kompania italiane “La Petrolifera Italo-Romena”, ndërsa pas grupit “Adriatic Bay Investment Group shpk”, me administrator Ahmet Kastratin qëndrojnë dy kompani shqiptare, përkatësisht kompania “Kastrati” me pronar Shefqet Kastratin dhe kompania “Europetrol Group” me aksionerë sipas të dhënave nga QKR, Gerian, Eno, Skënder e Asllan Kuqi dhe shtetasin Qazim Qazimi.

Kastrati zotëron 65 për qind të koncesionit, ndërsa 35 për qind i kontrollon Europetrol Group. Sipas të dhënave të 2019-s, nga Porto Romano hyn rreth 75 për qind e karburanteve që konsumohen nga tregu shqiptare, pjesa tjetër prej 25 për qind hyn nga porti i Vlorës i kontrolluar nga italianët.

Kjo do të thotë se italianët në Vlorë me një të katërtën e tregut e kanë të pamundur që të diktojnë çmimin e karburanteve, për më tepër që nuk kanë një rrjet pikash shitjeje me pakicë, ashtu siç i ka Kastrati nga ana tjetër.

Pra, importi i karburantit në Shqipëri është thuajse një treg monopol, çka reflektohet edhe në pasqyrimin e shpejtë të rritjes së çmimeve në bursat ndërkombëtare. Sa herë që ka rritje çmimi në këto tregje, në Shqipëri reflektohet brenda ditës, ndërsa kur ka ulje reflektimi kërkon ditë, javë e muaj.

Pra, përgjegjësitë e qeverive në këtë rast janë edhe më të mëdha se “bursat” ndërkombëtare, sepse ato jo vetëm që nuk kanë luftuar monopolet, por i kanë favorizuar ato, si në rastin e dhënies së dy porteve me koncesion për depozitat e karburantit.

Situata nuk ishte ndryshe as para 2013-s. Vitet e fundit të qeverisjes së PD-së Rezart Taçi importonte në Shqipëri rreth 60 për qind të karburanteve, ndërsa kompania e dytë ishte Europetrol, që sot është bashkuar me Kastratin në koncesionin e Porto Romanos.

Qeverisë ndoshta mund t’i leverdisë ky çmim, sepse sa më i lartë çmimi i naftës, aq më të larta arkëtimet në buxhet në formën e taksave. Por, një pjesë e mirë e këtyre taksave rikthehet sërish te grosistët e naftës, si në rastin e kompanisë Kastrati, që vetëm në 2020, sipas të dhënave të Open Data Albania ka përfituar 15 milionë euro nga tenderat e fituar për furnizimin me karburant të institucioneve shtetërore.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video