Borxhi publik dhe 3 gënjeshtra të njëjta të njëpasnjëshme të Qeverisë

28 February 2022, 17:58Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Borxhi publik dhe 3 gënjeshtra të njëjta të
Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj duke folur përpara Kryeministrit

Në Programin Qeverisës 2013-2017, qeveria shqiptare u angazhua dhe premtoi uljen graduale të borxhit publik në rreth 60% të PBB-së deri në fund të mandatit, premtim të cilin e përsëriti sërisht në mandatin 2017-2021 duke qenë se nuk e realizoi mandatin e parë.

Por mos-mbajtja e premtimit nuk mbeti me kaq. Premtimi dhe fabula u përsërit në mandatin e tretë ku shënjestra u drejtua për një konsolidim të përshpejtuar fiskal duke synuar borxh nën 60% në fund të mandatit – siç dhe u shpreh tekstualisht Kryeministri Rama.

Por cila është situata aktuale e borxhit?

Në fund të vitit 2020, borxhi publik i vendit tonë sipas Ministrisë së Financave u vlerësua në nivelin 77.9% e PBB-s, nivel ky i nënvlerësuar dhe jo real, argumentuar si në vijim. 

Si fillim pasaktësia lidhet me nënvlerësimin si pasojë e mos raportimit të detyrimeve që rrjedhin nga kontratat koncesionare.

Efekti real i këtyre kontratave dhe pasqyrimi i detyrimeve po realizohet duke transferuar detyrimin lidhur me to, në brezat e ardhshëm.

Nëse përfshihen detyrimet e rreth 80 kontratave koncesionare të formës PPP të lidhura në vitet 2014-2020, borxhi publik shtohet me 183,121 milioj lekë ose rreth 1,489 milion euro, vlerësuar me rreth 11,6% të PBB.

Nëse i shtojmë edhe 446 milionë euro, detyrime nga gjyqet ndërkombëtare (humbja në çështjen “Hydro Srl” (çështja Becchetti) 109 milionë euro; humbjet e pritshme “Durrës Kurum Shipping sh.p.k 100 milionë euro, “Arka Energy B.V 110 milionë euro, “Costruzioni Dondi-Kubota Co 90 milionë euro dhe “JV Copri Construction Enterprises 37 milionë euro), borxhi publik i Shqipërisë i rritur gjatë periudhës 2014-2021 shtohet edhe me 23.4% , duke kapur vlerën alarmante prej 112.9% të PBB-s.

Po kështu devijimi nga borxhi ndodh edhe për shkak të detyrimeve të prapambetura të cilat deri në fund të vitit 2020 sipas raportimit të MFE vlerësohet në rreth 14 miliard lekë, pa përfshirë këtu stokun e TVSH-së së rimbursueshme.

Këto të dhëna nisur nga fakti që raportohen në bazë të vet deklarimit të institucioneve buxhetore, mbartin brenda një risk dyfish të lartë, duke qenë se nuk janë të kontrolluar dhe verifikuara me pasqyrat financiare por merren të mirëqena nga vet deklarimi i çdo institucioni.

Pyetja e thjeshtë është: Dhe sa do vazhdojmë të “ushqehemi” me të njëjtat gënjeshtra dhe të paguajmë për borxhet e shtetit shqiptar në një kohë kur familjet shqiptare nuk arrijnë të shlyejnë dot borxhet e tyre për të mbajtur familjen?!

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video