Argumentimi qesharak i gjyqtarit Erjon Bani, ish-ministri Koka u la në burg për t’i "rregulluar imazhin drejtësisë"(!)

25 Shkurt 2022, 21:41Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ish-ministri Koka i arrestuar dhe gjyqtari Erjon Bani

Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit vendosi sërish të rrëzojë kërkesën e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka.

Kjo është hera e tretë që Koka kërkonte një masë më të lehtë sigurie se ajo e arrestit me burg.

Vendimi është marrë nga gjyqtari Erjon Bani, pas këshillimit në Dhomën e Këshillimit.

Ajo që vihet në re në arsyetimin e vendimit gjyqtari Erjon Bani e la në masën e sigurisë arrest me burg ish-ministrin, jo se ai paraqiste rrezikshmëri të lartë shoqërore, apo mund të prishte provat e hetimit, siç kërkohet nga ligji për vendime të tilla të ndërmjetme, por për imazhin e institucioneve shqiptare përballë ndërkombëtarëve(!)

Argumentimi qesharak i gjyqtarit Erjon Bani, ish-ministri Koka u la në burg
Gjyqtari Erjon Bani duke dal nga salla e vetingut

Sipas vendimit të zbardhur të siguruar nga voxnews.al, Lefter Koka u la në burg nga gjyqtari Bani për të përmirësuar imazhin e drejtësisë në opinionin publik.

Ky arsyetim i gjyqtarit bën për të qeshur edhe studentët e vitit të parë në Fakultetin e Drejtësisë, apo ata me njohuri minimale juridike.

Vendimi i arsyetuar, përveçse është alogjik juridikisht është edhe i paqartë nga ana gjuhësore, me fjalë që përsëriten shpesh brenda fjalive dhe shpesh pa kuptim dhe pa një rrjedhë logjike të qartë.

A është shkruar enkas ky vendim në këtë formë, apo është tregues ‘i kapacitetit’ të gjyqtarit, kjo nuk  dihet.

Por çfarë thotë konkretisht gjyqtari Bani në vendimin, ku lë në fuqi arrestin me burg për Lefter Kokën?

“Në kërkesën lidhur me llojin e masës së sigurimit që kërkohet të caktohet, gjykata mban parasysh proporcionalitetin dhe përshtatshmërinë specifike të nevojave të sigurimit në rastin konkret me llojin e masës së sigurimit në raport edhe me kategorinë e veprave penale që dyshohet se janë kryer!!!”, thotë gjyqtari Bani.

Argumentimi qesharak i gjyqtarit Erjon Bani, ish-ministri Koka u la në burg

Faksimile e vendimit të gjykatës për lënien në burg të ish-ministrit Koka

Se çfarë ka dashur që të thotë gjyqtari me pjesën “proporcionalitetin dhe përshtatshmërinë specifike” nuk qartësohet as në rreshtat në vazhdim. Çudia vazhdon pas kësaj fjalie, ku gjyqtari merr përsipër që të rregullojë namuzin e drejtësisë në opinionin publik dhe atë ndërkombëtar, duke lënë ish-ministrin Koka në burg.

“Në situatën aktuale, ekziston një opinion mosbesues nga opinioni shoqëror, por edhe nga institucionet ndërkombëtare ndaj organeve shtetërore dhe në veçanti ndaj organeve të drejtësisë lidhur me luftën kundër korrupsionit. Mbizotëron një opinion mosbesues se organet shtetërore dhe organet e drejtësisë nuk kryejnë detyrën e tyre në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe nuk ndëshkojnë rastet e korrupsionit të nivelit të lartë”, thotë ai.

Komediciteti i vendimit bëhet edhe më i theksuar në vazhdim, kur gjyqtari Bani flet se si drejtësia ka prishur imazhin e vendit dhe klimën e biznesit dhe merr përsipër që ta rregullojë këtë klimë e imazh po duke lënë Lefter Kokën në burg.

“Pasojat e këtij opinioni mosbesues kanë ndikuar dhe ndikojnë në imazhin e vendit në raport me lirinë ekonomike dhe shtetin ligjor, si dhe në zhvillimin ekonomik të shoqërisë dhe të aktiviteteve ekonomike private”, thotë ai.

Arsyetimi vijon edhe më i turbullt, kur gjyqtari thotë se “për të gjitha këto arsye nevojat e parandalimit të përgjithshëm dhe të posaçëm për këtë vepër kategori të veprave penale janë të larta”.

Këtë arsyetim e përmendi edhe gazetari Mentor Kikia në emisionin TPZ të Ylli Rakipit.

Sipas gazetarit, në burg personat duhet të rrinë për shkak të provave që kanë dhe fajeve që kanë bërë, jo për të rregulluar imazhin e drejtësisë apo për të kthyer besimin te institucionet.

Video më poshtë tregon dhe momentin kur gazetarët Kikia dhe Çani komentojnë këtë vendim, sa qesharak aq edhe të dëmshëm për të kthyer realisht besimin te drejtësia.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Video