
Qeveria ka përllogaritur që kostoja e rehabilitimit të ish të përndjekurve të regjimit komunist është rreth 32 miliardë lek, që me ritmet aktuale të shumave që po shpërndan në vit, do të kërkojë po 32 vite që ish të përndjekurit të marrin këto para.
Pse? Qeveria jo vetëm që nuk e ka rritur fondin për rehabilitimin e kësaj shtrese, por e ka ulur atë, duke e çuar nga 1.05 miliard lek që ishte në 2019, në 1 mld lek për këtë vit. Në 2019, Fondi i të Përndjekurve Politikë ishte planifikuar 1,47 mld lek dhe në 2020 u ul në 1,37 mld lek ku 1 mld u përdorën për pagesat ndaj kësaj kategorie dhe 37 mln lek për shpenzime administrative.
Kjo do të thotë se 30 vite pas rënies së diktaturës, ish të përndjekurit dhe pasaardhësit e tyre do të duhet që të presin edhe të paktën 30 vite të tjera që të rehabilitohen plotësisht financiarisht, pa llogaritur këtu edhe faktorin kohë dhe të zhvlerësimit të parasë.
Pra, edhe kjo qeveri ka vijuar talljen me këtë kategori, si të gjitha qeveritë e tjera pararendëse. Përveç kësaj, 9 vite nga marrja e pushtetit, Edi Rama nuk ka përmbushur premtimin e fushatës së 2013-s për mbylljen e gjithë pagesave të rehabilitimit për gjithë ish të përndjekurit.
Për ta vijuar talljen, në gusht të vitit të kaluar Rama shprehej krenar për pagesat që kishte kryer për ish të përndjekurit, por pa u treguar këtyre të fundit se për t’i shlyer plotësisht me këtë ritëm do t’u duhet që të presin edhe 30 vite të tjera.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.