1 milion euro pa kryer shërbim, “DiaVita” kompania që mbush xhepat me lekët e shqiptarëve

7 February 2022, 09:36Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
1 milion euro pa kryer shërbim, “DiaVita” kompania që
Rama, "Dia Vita" dhe tenderi i Hemodializës

“DiaVita” kompania koncensionare e Hemodializës, ka marrë 1 milionë euro pa kryer shërbimin. Pagesat për “DiaVita-n”, janë kryer në dëm të financave publike, auditimi i bërë në Fondin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor nga institucionet përkatës nxori “lakuriq” këtë skandal.

Sipas auditit është zbuluar se ”DiaVita”, nga Fondi i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka marrë 115 milionë lekë të reja për shërbimet e kryera gjatë një periudhe 6 mujore në spitalet e Elbasanit dhe Korçës.

Dokumentat nga kontrolli i auditit kanë zbuluar se, kompania “DiaVita” nuk e ka ofruar këtë shërbim, pasi nuk ekzistonte infrastruktura e nevojshme.

“Nga auditimi konstatohet se, si autoriteti kontaktor (Ministria e Shëndetësisë), ashtu edhe autoriteti financues i kontratës (FSDKSH) kanë qenë në dijeni të problematikës së krijuar dhe nuk janë marrë masat e duhura për adresimin në kohë të tyre si dhe duke mos reaguar në formën e përcaktuar në kontratën koncesionare dhe të financimit”, thuhet në audit lidhur me pagesat e kryera për koncensionarin “DiaVita”.

Në Shkurt 2016, Ministria e Shëndetësisë dhe kompania “Evita” nënshkruan kontratën e Koncesionit/Partneritetit Publik Privat “Për shërbimin e Hemodializës pranë spitaleve rajonale në Shkodër, Lezhë, Korçë, Vlorë dhe Elbasan”, me afat 10 vjet dhe për një vlerë rreth 80 milionë euro.

Në kontratën e nënshkruar nga Ministria e Shëndetësisë me konçesionarin, ky i fundit, do të njoftonte për datën e nisjes së shërbimit, e cila ishte momenti kur kompania private filloi kryerjen e seancave të dializës në spitalet e Elbasanit dhe Korçës.

Në audit thuhet se, “DiaVita” njoftoi Ministrinë e Shëndetësisë se kishte nisur ofrimin e shërbimit në 1 Nëntor 2016, e cila shënon edhe zyrtarisht fillimin e koncensionit.

Gjithashtu në spitalin e Elbasanit dhe të Korçës nuk ishte krijuar ende infrastruktura e nevojshme për kryerjen e dializës dhe “DiaVita” nisi shërbimin në strukturat e tjera spitalore publike, por edhe private.

 “Mosmarrëveshja midis Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor dhe koncensionarit lidhet me datën e fillimit të pagesës për qendrat e dializës në rajonet Korçës dhe Elbasanit”, shkruhet në auditin e bërë nga organet ligjzbatuese. Ndërkohë që paratë kalonin në llogarinë e koncesionarit, ky i fundit nuk kishte nisur asnjë shërbim siç kishte nënshkruar kontratën.

“Dia Vita”, konçensionari “80 mln euro” ana e errët e saj

“DiaVita” e nisi nga një biznes i vogël në Berat më 2013, por vetëm pas 3 vitesh kjo kompani, fitoi tenderin për koncensionin e Hemodializës, duke ngritur pikëpyetje mbi pronarët e saj të vërtetë.

Në vetëm pak vite kjo kompani ka ndërruar shumë pronarë dhe administratorë, këto levizje sjellin indicie se këtu po ndodh diçka. Ajo që është për të vendosur duart në kokë është se kjo kompani nuk kishte eksperiencën e duhur për këtë konçesion dhe është i vetmi tender që ka fituar.

Reagimi i gazetarit Adriatik Doci

Klodian Allajbeu fut në xhep 1 milionë euro pa bërë asgjë me ‘bekimin’ e Beqjas dhe Manastirliut. Një pjesë të parave ua jep Andi Telës, Enkel Demit, Batonit dhe Shkëlzenit. SPAK i dorëzuar?!

Vijoj të besoj se në vend të Saimir Tahirit sot duhet të ishin në burg Ilir Beqja dhe Ogerta Manastirliu për kalimin e qindra milionë eurove para publike në llogaritë e një çete klientësh. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se oligarku Klodian Allajbeu, i cili financon në mënyrë të kamufluar Shkëlzen Berishën e non-gratës, ka marrë të paktën 1 milionë euro nga paratë publike, pa bërë asgjë, përmes koncesionit të dyshimtë me vlerë 80 milionë euro për e shërbimin e hemodializës, për të sëmurët nga veshkat.

Paratë kanë avulluar përmes kompanisë “DiaVita”, e cila i ka rrënjët në një kioskë në Berat, por që kamuflohet deri në Holandë dhe parajsa fiskale. Pas ‘DiaVita” qëndron oligarku Klodian Allajbeu, një nga sfidat më të mëdha të SPAK-ut dhe shtetit ligjor në Shqipëri.

KLSH ka konstatuar se kompania e Allajbeut i ka përfituar paratë pa ka kryer asnjë shërbim, falë qëndrimit pasiv të ish ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe më pas të pasardhëses së tij, Ogerta Manastirliu. Në këtë operacion përvetësimi të parave publike kanë marrë pjesë edhe disa gjyqtarë të korruptuar të Apelit në Durrës.

Veprimtaria grabitqare e Klodian Allajbeu vijon prej të paktën 15 vitesh dhe shtrihet në disa sektorë, që nga tendenca për monopolizimin e tregut të spitalit privat, zaptimin e ambienteve të Spitalit Ushtarak në funksion të Spitalit Amerikan, koncesione dhe tendera klienteliste në shëndetësi me vlerë qindra miliona euro, kapjen e shërbimeve të caktuara shëndetësore të cilat duhet të ofroheshin nga sektori publike, monopolizim të tregut Agro-Ushqimor të Tiranës përmes kompanisë EKMA etj.

Dhe ju çuditeni që Allajbeu paguan Baton Haxhiun me pagë 18 milionë lekë në muaj si drejtor i marketingut në Spitalin Amerikan. Ai paguan në të gjithë krahët. Pse nuk e përmend kurrë Sali Berisha, Lulzim Basha, Ilir Meta, Mona apo qeveria?! Berishës i ka mbuluar të birin me para. Të tjerët merreni me mend vetë.

Si drejtorë marketingu në Spitalin Amerikan, Klodian Allajbeu paguan edhe dy gazetarët, Andi Telën dhe Enkel Demin, me pagë 3.7 mijë USD secili në muaj.

Dhe ju thoni pse në Shqipëri nuk ka gazetarë si Imer Mushkolaj i Kosovës që të bëjë pyetje?

Po si të shesësh profesionin duke mbushur gojën me paratë që oligarku merr në arkën e shtetit, me çfarë do ta bësh pyetjen, apo me by...

Objekti i veprimtarisë së “Dia Vita-s”

Zbatim i kontratës së konçesionit/partneritetit publik privat "Për Shërbimin e Hemodializës pranë spitaleve rajonale në Shkodër, Lezhë, Korçë, Vlorë dhe Elbasan". Shoqëria e zhvillon aktivitetin në përputhje me legjislacionin shqiptar në fuqi dhe me statutin e saj, në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj. Shoqëria mund të krijojë filiale brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, në përputhje edhe me legjislacionin e vendit përkatës.

Shqipëria mban rekordin e lidhjes së kontratave koncesionare

Gazetarja Aranita Brahaj ka ngritur alarmin e shifrave rekord që vendi ynë mban në lidhjen e kontratave koncesionare apo PPP ku ndër kompanitë e rënditura është edhe “Dia Vita”.

Përmes një postimi të ndarë në rrjetet sociale, Brahaj shkruan se asnjë shtet në Europë, madje as Anglia nuk kanë guxuar të lidhin kontrata koncesionare apo PPP me vlerë më shumë se 2.4 % e Produktit të Tij të Brendshme Bruto, ndërsa Shqipëria mban rekord. Gazetarja thekson se Shqipëria e ngarkoi veten me detyrime potenciale kontigjenca Kontrata PPP me mbështetje Buxhetore sa 11.4% e PBB, teksa bashkëngjitur linkun me të dhënat e koncesioneve.

Në të dhënat e përpunuara nga Open Data Albania, për vitin 2021 Buxheti i Shtetit ka planifikuar pagesa për PPP Koncesione në vlerën 14 miliard Lekë. Në 2022 kjo vlerë bëhet 15.4 miliard, dhe në 2023 janë që tani planifikuar 15.3 Miliard Lekë. Po ashtu, gjendja për Koncesione PPP vetëm sipas potencialit detyrime kontraktore pa përfshirë të tjera jashtë kontratës në datën shtator 2020 për shtetin shqiptar llogaritet 183 120 767 000 Lekë në euro rreth 1 488 786 723 Euro (1.48 miliard).

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video