Çmimi i naftës, kush janë oligarkët që kontrollojnë tregun e karburanteve?

3 February 2022, 18:14Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Çmimi i naftës, kush janë oligarkët që

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj ishte e para që hoqi çdo përgjegjësi të Qeverisë në rritjen e çmimit të naftës, ndërsa zv.Kryeministri Arben Ahmetaj shkoi përtej duke shfajësuar të gjitha qeveritë dhe cilësuar si “naivë” këdo që drejtonte gishtin nga ekzekutivi për rritjen e këtij çmimi.

Të mundohesh që të shfajësosh qeveritë shqiptare ndër vite për çmimin e lartë të naftës është njësoj si "të përpiqesh të mbulosh diellin me shoshë", siç thotë populli. Këtë përpjekje e udhëhoqi në Kuvend Arben Ahmetaj, kur edhe ai fajësoi tregjet ndërkombëtare.

Por, ngado të rrotullohesh Qeveria nuk del dhe s’mund të dalë asnjëherë pa përgjegjësi në këtë çmim, sepse po të ishte ndryshe, atëherë çmimi i karburanteve do të ishte njësoj kudo.

Shqipëria e ka çmimin njësoj me Italinë dhe me Zvicrën, por në krahasim me vendet e rajonit e ka këtë çmim 40 deri në 50 lekë më shtrenjtë.

Taksat luajnë rolin e tyre në këtë drejtim, por në rastin e Shqipërisë ato nuk janë vendimtare. Vendimtar në përcaktimin e këtij çmimi është tregu në trajtën e oligopolit, duke filluar që nga importi e deri te shitja me pakicë nëpër pikat e karburanteve.

Dy janë pikat nga ku hyn e gjithë sasia e karburantit në Shqipëri, Petrolifera Italo-Albanese në Vlorë dhe Porto Romano MBM. Të dyja janë pika të dhëna me koncesion nga dy qeveri të ndryshme. I pari është dhënë nga qeveria e Fatos Nanos me skemën “ndërto, opero dhe zotëro”, ndërsa i dyti është dhënë nga qeveria “Rama 2” në Porto Romano në Durrës që zotërohet nga “Adriatic Bay Investment Group shpk”.

Kush qëndron pas tyre? Në koncesionin e parë qëndron kompania italiane “La Petrolifera Italo-Romena”, ndërsa pas grupit “Adriatic Bay Investment Group shpk”, me administrator Ahmet Kastratin qëndrojnë dy kompani shqiptare, përkatësisht kompania “Kastrati” me pronar Shefqet Kastratin dhe kompania “Europetrol Group” me aksionerë sipas të dhënave nga QKR, Gerian, Eno, Skënder e Asllan Kuqi dhe shtetasin Qazim Qazimi.

Kastrati zotëron 65 për qind të koncesionit, ndërsa 35 për qind i kontrollon Europetrol Group. Sipas të dhënave të 2019-s, nga Porto Romano hyn rreth 75 për qind e karburanteve që konsumohen nga tregu shqiptare, pjesa tjetër prej 25 për qind hyn nga porti i Vlorës i kontrolluar nga italianët.
Kjo do të thotë se italianët në Vlorë me një të katërtën e tregut e kanë të pamundur që të diktojnë çmimin e karburanteve, për më tepër që nuk kanë një rrjet pikash shitjeje me pakicë, ashtu siç i ka Kastrati nga ana tjetër.

Pra, importi i karburantit në Shqipëri është thuajse një treg monopol, çka reflektohet edhe në pasqyrimin e shpejtë të rritjes së çmimeve në bursat ndërkombëtare. Sa herë që ka rritje çmimi në këto tregje, në Shqipëri reflektohet brenda ditës, ndërsa kur ka ulje reflektimi kërkon ditë, javë e muaj.

Pra, përgjegjësitë e qeverive në këtë rast janë edhe më të mëdha se “bursat” ndërkombëtare, sepse ato jo vetëm që nuk kanë luftuar monopolet, por i kanë favorizuar ato, si në rastin e dhënies së dy porteve me koncesion për depozitat e karburantit.

Situata nuk ishte ndryshe as para 2013-s. Vitet e fundit të qeverisjes së PD-së Rezart Taçi importonte në Shqipëri rreth 60 për qind të karburanteve, ndërsa kompania e dytë ishte Europetrol, që sot është bashkuar me Kastratin në koncesionin e Porto Romanos.

Qeverisë ndoshta mund t’i leverdisë ky çmim, sepse sa më i lartë çmimi i naftës, aq më të larta arkëtimet në buxhet në formën e taksave. Por, një pjesë e mirë e këtyre taksave rikthehet sërish te grosistët e naftës, si në rastin e kompanisë Kastrati, që vetëm në 2020, sipas të dhënave të Open Data Albania ka përfituar 15 milionë euro nga tenderat e fituar për furnizimin me karburant të institucioneve shtetërore.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video