Pse Rama dhe dy ministrat u bënë palë me “oligarkët” e naftës?!

4 February 2022, 13:09Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Pse Rama dhe dy ministrat u bënë palë me
Edi Rama, Arben Ahmetaj dhe Delina Ibrahimi

Çmimi i naftës ka shënuar rekorde historike për drejtuesit shqiptarë të automjeteve, ku në disa pika karburanti ka arritur deri në 200 lekë për litër. Rritja e çmimit të naftës po shkund xhepat e qytetarëve. Por jo vetëm karburantet, qytetarët po përballen njëkohësisht edhe me rritjet çmimet të ushqimeve, kjo vjen edhe për shkak të rritjes së naftës.

Aktualisht shqiptarët paguajnë 7 taksa brenda çmimit të një litre nafte, krahasuar me të njëjtë periudhë të një viti më parë çmimi i naftës është rritur me 38 lekë, ndërsa gazi ka shënuar dyfishim të çmimit ku sot shitet me 92 lekë litri.
Këto shifra e bëjnë Shqipërinë të jetë vendi me çmimet më të larta në rajon, krahasuar me Malin e Zi ku nafta tregtohet me 154 lekë/litër apo Maqedoninë e Veriut me 138 lekë/litër.

Në rrjetet sociale shpërthyen ankesat për çmimin e naftës aq sa detyruan ministren e Financave Delina Ibrahimi që të japë një përgjigje “epike” që do e kishin zili kolegët e saj në çdo vend të botës.
Në një dalje për mediat, gazetarët e pyetën ministren, duke e krahasuar çmimin e naftës në Shqipëri me Zvicrën. Por përgjigja e ministres i la “gojë hapur” gazetarët, Ibrahimi u shpreh se:

“Çmimi i naftës në Shqipëri, njësoj si në Zvicër? Do të publikojmë një analizë të detajuar. Do ta bëjmë publike që të gjithë të jenë të qartë se sa është pesha e taksave dhe e rritjes së çmimit dhe pse rritja me 8 lekë është ndikuar apo jo. Çmimet e bursës për naftën kanë muaj që kanë në rritje, ka që në vitin 2020, rritja do të vazhdojë edhe për një 6-mujor tjetër”.

Kjo “komedi” qeveritare nuk u ndal me kaq, pas Ibrahimit edhe paraardhësi i saj tashmë zëvendëskryeministër Arben Ahmetajt në parlament ia hodhi fajin “Saliut”. Ahmetaj nga parlamenti u shpreh se:

“Sa është çmimi sot i naftës? Sot është midis 190 lekë dhe 194 lekë. (Përgjigjet sallës) Po, unë falas e kam, se unë lëviz me këmbë. Ky çmim ka qenë vetëm në 2009. Cila është diferenca? Taksa e qarkullimit ka qenë 7 lekë atëherë, sot është 27 lekë. Pse ka qenë çmimi njëlloj kur taksa ka qenë më e ulët? Cila është arsyeja. Të thuash që e ka pasur fajin qeveria e atëhershme, është naivitet. Siç është sot naivitet ajo që thoni, qeveria, qeveria, qeveria. Ka të bëjë me tregun, ka të bëjë me strukturën e çmimit. është hequr ngarkesa nga makinat dhe është vendosur te çmimi i naftës. është hequr taksa, qoftë cilindrata dhe një qeveri është sovrane të vendosë një strukturë çmimi dhe taksimi në favor të efektivitetit fiskal. Pyetja ngelet. Nuk i ikim dot, Pse në 2009 dhe 2010 çmimi ishte 192 dhe 193 dhe taksa 7 lekë, dhe sot është po aq por taksa 27 lekë”.

Pasi qytetarët shqiptarë morën përgjigjet e ministrave, tashmë ishte radha e shefit të tyre. Kryeministri Rama ndryshe nga ministrat e tij zgjodhi tu përgjigjej, për çmimin e naftës qytetarëve shqiptarë nëpërmjet komenteve në facebook. Rama shkruan se për të përballuar rritjen e çmimit të naftës, ai do t’u rrisë rrogat qytetarëve.

“Nuk ka 7 taksa ne çmimin e naftës e para dhe e dyta, vendet e tjera me të cilat krahasojnë çmimet ata që flasin për taksat, ato taksa i kanë jashtë çmimit, dmth o i paguan kur nget makinën o i paguan edhe po se ngave makinën, mjafton të kesh makinë! Kështu që nuk do ndryshonte gjë për xhepin e drejtuesve te automjeteve, sepse ato detyrime në një mënyrë a një tjetër nuk hiqen”

Pas justifikimeve nga përfaqësuesit e qeverisë, tani ka mbetur pyetja e fundit për ta: Çfarë i “frikëson” Ramën dhe ministrat që nuk e çojnë gishtin tek fajtorët e vërtetë të rritjes së çmimit: “kartelet e naftës”.

Voxnews publikoi dje një analizë me titull “Çmimi i naftës, kush janë oligarkët që kontrollojnë tregun e karburanteve”?
Në këtë analizë do të gjeni edhe përgjigjen e pyetjes, pse Rama dhe dy ministrat u bënë palë me “kartelet” e naftës?

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video