Fondi i Sigurimeve Shëndetësore pagoi dritat e ujin me paratë e pandemisë

17 February 2022, 20:56Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Fondi i Sigurimeve Shëndetësore pagoi dritat e ujin me paratë e
Ministrja e Shendetesise dhe Puneve Sociale, Ogerta Manastirliu

Edhe pse ligji nr. 88/2019 “Për buxhetin e vitit 2020”, i ndryshuar, ka parashikuar përdorimin e një fondi prej 2,5 miliardë në programet e buxhetit të sigurimeve shëndetësore (përkatësisht programi i kujdesit parësor dhe programi i kujdesit dytësor), në kundërshtim me këtë ligj ky fond ka ndryshuar destinacion duke kaluar shumën 0.5 miliard lekë në programin “shërbimet e kujdesit dytësor” dhe pjesën tjetër prej 2 miliard lekë është vendosur të përdoret nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në programe të tjera buxhetore që nuk financojnë buxhetin e sigurimeve shëndetësore të FSDKSH.

Vet Këshilli Administrativ me vendimin nr.5 datë 03.04.2020 ka pasqyruar efektet e këtyre ndryshimeve duke reflektuar një efekt në ulje të buxhetit të sigurimeve shëndetësore në total prej 800 milion lekë, ulje të cilën ka zgjedhur ta përballojë duke ulur financimin për shërbimin parësor në shumën 450 milion lekë (për ndërprerjen e përkohshme të kontratës koncesionare të kontrollit bazë) dhe duke ulur financimin e shërbimit spitalor me rreth 350 milion.

Dhe jo vetëm kaq, por me VKA nr.4 datë 26.02.2020 janë bërë shpërndarje fondesh nga rezerva e buxhetit të shërbimit spitalor të vitit 2020, duke kërkuar një fond shtesë prej 100 milion lekë, për blerje për mallra dhe shërbime, pa asnjë argumentim.

Në një kohë kur pandemia zhvati dhe gjunjëzoi ekonomikisht çdo familje shqiptare FSDKSH me VKA nr. 9 datë 28.07.2020 miratoi sërish shpërndarje të fondeve duke pakësuar rezervat për COVID me rreth 522,000 mijë lekë dhe përdorimin e këtij fondi me papërgjeshmëri të plotë për likuidimin e faturave të ujit, energjisë elektrike, vendimeve gjyqësore etj.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video