Rama nga Manastiri: Të mbrojmë gjuhën shqipe nga “agresioni” që po pëson nga teknologjia

22 Nëntor 2026, 19:31Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Rama nga Manastiri: Të mbrojmë gjuhën shqipe nga

Kryeministri Edi Rama ka propozuar krijimin e një biblioteke të madhe digjitale, të hapur për çdo fëmijë dhe mësues shqiptar në mbarë botën, me synimin për të ruajtur dhe promovuar gjuhën shqipe, veçanërisht te brezat e rinj në diasporë.

Gjatë vizitës në Shtëpinë-Muze të Alfabetit Shqip në Manastir, në kuadër të 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit, Rama theksoi nevojën për një projekt afatgjatë të përbashkët mes Shqipërisë, Kosovës dhe strukturave shqiptare në rajon për mbrojtjen e gjuhës shqipe.

Rama propozoi që biblioteka digjitale të përmbajë libra që mund të lexohen dhe dëgjohen, duke u bërë një hapësirë e përbashkët mësimi për fëmijët dhe mësuesit shqiptarë kudo që ndodhen. Ai sugjeroi gjithashtu përfshirjen e mësuesve nga Tirana, Prishtina, Tetova, Ulqini, Athina dhe Zyrihu, të cilët do të ndanin përvojat e tyre dhe do të identifikonin nevojat e mësimdhënies së gjuhës shqipe në diasporë.

Sipas tij, në kushtet kur teknologjia digjitale po ndikon gjithnjë e më shumë në përdorimin e gjuhëve të vogla, shqipja po përballet me sfida të reja, veçanërisht te fëmijët që jetojnë jashtë trojeve shqiptare.

“Ka sot fëmijë në diasporë që kuptojnë shqipen, por kur duan të tregojnë diçka, i kërkojnë ndihmë mamit. Ka fëmijë sot në Tiranë dhe Prishtinë që flasin shqip gjithë ditën, por po humbasin përditë fjalë nga thesari i shqipes, pasi ajo sot është nën një agresion të madh, si të gjitha gjuhët e vendeve të vogla në kohën e teknologjisë digjitale.

Prandaj them se qeveria e Shqipërisë, e Kosovës dhe të gjitha strukturat që shqiptarët kanë sot në këtë rajon duhet të shohin më tutje, me një projekt afatgjatë për shqipen, mbi themelet që tashmë i kemi ndërtuar së bashku me abetaren e përbashkët dhe me tekstet që kemi punuar bashkë për mësimin e shqipes në distancë.

Do të ishte e pajustifikueshme përballë historisë që Tirana dhe Prishtina, sot në këtë hapësirë ku shqiptari gëzon të drejta që nuk i ka pasur më parë, të mos ndërmerrnin së bashku ndërtimin e një biblioteke të madhe digjitale, të hapur për çdo fëmijë dhe mësues shqiptar në mbarë botën.

Me libra që mund t’i dëgjosh dhe lexosh. Dhe do të ishte bukur që kjo tryezë të merrte jetë me një mësuese nga Tirana, një nga Prishtina, një nga Tetova, një nga Ulqini dhe dy të tjera që japin shqip në Athinë apo Zyrih, të uleshin dhe të na mësonin se çfarë u ka munguar në klasë. Patjetër që besoj se do të mësojmë më shumë prej tyre sesa me shkresat që shkëmbejmë me njëri-tjetrin”, tha Rama.

Rama propozoi që 22 Nëntori të shërbejë edhe si një ditë llogaridhënieje për qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës lidhur me ecurinë e gjuhës shqipe, duke raportuar për numrin e librave të shpërndarë te fëmijët dhe mbështetjen e mësuesve jashtë kufijve.

Sipas tij, ruajtja e gjuhës shqipe kërkon jo vetëm nderimin e trashëgimisë së lënë nga Kongresi i Manastirit, por edhe investime dhe bashkëpunim konkret për ta përcjellë atë te brezat e ardhshëm.

“Në historinë e Ballkanit ka plot shtëpi ku burra të rëndësishëm janë ulur rreth një oxhaku për të vendosur për një luftë, për një kufi apo për një gjak të marrë ose të falur. Ndërsa këtu, në këtë shtëpi, 118 vite më parë, njerëzit u ulën rreth një tryeze për të vendosur si do t’i shkruanin njëri-tjetrit, nga Manastiri në Shkodër, nga Prishtina në Vlorë apo nga Durrësi në Korçë, ku secili kishte mësuar ta hidhte shqipen në letër me shkronja të ndryshme.

Nëse kjo ishte një telash për dy dijetarë që donin të shkëmbenin letra, merret me mend se çfarë pengese ishte për një komb që nuk kishte shkolla e libra dhe asnjë gjuhë të shkruar bashkërisht.

Këtu u bashkuan njerëz që flisnin shqipen me regjistra të ndryshëm, faleshin në mënyra të ndryshme dhe që, kur vinte puna tek alfabeti, kishin preferenca të ndryshme për shkronjat që do të merrnin përparësi.

Në fund, Kongresi pranoi dhe i hapi rrugën një tjetër uljeje rreth oxhakut, shumë dekada më vonë, kur gjuha shqipe u njësua, që sot është për të gjithë kombin tonë.

Për qeverinë tonë dhe atë të Kosovës do të ishte bukur që më 22 Nëntor t’ia kushtonin llogaridhënies për ecurinë e gjuhës shqipe: sa libra të rinj kanë mbërritur te fëmijët, sa mësues jashtë kufijve kemi ndihmuar etj”, tha Rama.


Video