E gjobitën 5 mln lekë, 16-vjeçari denoncon Policinë: Më nxorën zvarrë nga lokali dhe më goditën

22 Nëntor 2026, 19:10Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

E gjobitën 5 mln lekë, 16-vjeçari denoncon Policinë:

Një 16-vjeçar ka bërë një rrëfim gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë, duke pretenduar se është dhunuar nga efektivët e policisë pas shoqërimit në komisariat një natë më parë. Adoleshenti deklaron se është goditur në kokë dhe se ndaj tij është vendosur një gjobë prej 5 milionë lekësh të vjetra.

Në një prononcim për News24, i mituri tregoi se ndodhej në një lokal pranë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, kur është identifikuar nga një efektiv policie.

Sipas dëshmisë së tij, pak çaste më vonë, 4-5 persona me rroba civile e kanë nxjerrë me forcë nga lokali dhe e kanë shoqëruar me automjet policie, pavarësisht ndërhyrjes së qytetarëve që ndodheshin aty.

Ai pretendon se sapo është futur në makinë, efektivët kanë nisur ta godasin dhe ta ofendojnë. Sipas tij, goditjet kanë ndaluar vetëm pasi u ka treguar se ishte 16 vjeç.

Por shoqërimi në polici nuk ka përfunduar vetëm me këtë episod. Adoleshenti tregon se në komisariat është gjobitur me 5 milionë lekë të vjetra, pasi dyshohet se rreth orës 19:05 kishte hedhur lëndë piroteknike në drejtim të policisë.

I riu e mohon këtë akuzë. Ai pranon se kishte një kapsollë me vete, por këmbëngul se nuk e ka hedhur atë. Madje, pretendon se ekzistojnë edhe pamje filmike të regjistruara nga një qytetar, të cilat mund të provojnë versionin e tij. Sipas tij, policia e ka identifikuar për shkak të tutave të kuqe që mbante veshur.

Djali 16-vjeçar: Më futën në makinë dhe më kanë gjuajtur. Dhe më shanin. Gjuanin në kokë. Edhe shanin shumë. Nuk flisja më pyetën për moshën, i thashë jam 16 vjeç. Gjuajtën dhe një herë dhe nuk më gjuajtën më. Asgjë nuk bëra.

Më panë vetëm se kisha pantallona të kuqe. Kapsollën e kisha por nuk e hodha. Kapsolli im s’ka plas asgjë. nga ato të kuq. Në komisariat më shanin, nuk më kanë goditur. Edhe herës tjetër kur kapën shokët. I rrahën në makinë. I pashë atje.

Dal për të drejtat e mia dhe të gjithë shqiptarëve. Me këtë shtet që vetëm vjedh. Gjysmat e studentëve i kanë bërë kriminelë. Dal për të drejtat e mia për të rrëzuar këtë qeveri. Duam një shtet pa vjedhje, që të mos korruptohet. Baba im punon saldator, nëna nuk punon. Kam tre motra më të vogla.

Mundësi nuk kam ta paguaj por edhe nëse do i kisha nuk do paguaja. Nuk frikësohem prandaj kam dalë prapë sot", tha ai.


Video