“Çfarë je ti, protestues?”, Rama përplaset me gazetarin në Qafë Thanë pas pyetjes për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut

22 Nëntor 2026, 14:10Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

“Çfarë je ti, protestues?”, Rama përplaset me

Kryeministri Edi Rama është përplasur me një gazetar shqiptar në Maqedoninë e Veriut, i cili e pyeti për marrëdhëniet e tij me kryeministrat maqedonas dhe mungesën e interesimit për shqiptarët dhe problematikat e tyre në këtë shtet.

Përplasja ndodhi gjatë konferencës për mediat në Qafë Thanë, ku Rama dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, morën pjesë në përurimin e sistemit të integruar kufitar “One Stop Shop”, një pikë e përbashkët e kalimit kufitar.

Gazetari e pyeti Ramën se përse e sheh shpesh në marrëdhënie miqësore me kryeministrat e Maqedonisë së Veriut, ndërsa, sipas tij, nuk tregon të njëjtin interes për shqiptarët që jetojnë në këtë vend.

 “Ju shohim shpesh që bëni miq kryeministrat në Maqedoni, keni mik Ali Ahmetin, shpesh bëni edhe me Mickoskin, por jo shqiptarët dhe hallet e tyre. Asnjëherë nuk jeni interesuar për shqiptarët në vendin tonë, nuk e çelni gojën. Ju i keni miq kryeministrat apo do bëni miq shqiptarët?”, pyeti gazetari.

 Në përgjigje, Rama e ndërpreu me pyetjen: “Çfarë je ti, protestues?”, ndërsa më pas vijoi të shpjegonte qëndrimin e tij, duke theksuar se Maqedonia e Veriut është shtet sovran dhe se nuk ndërhyn në çështjet e brendshme të saj.

“Thashë unë, je protestues. Dua të them disa gjëra që shpresoj t’i dëgjosh siç i dëgjova unë me respekt.

Së pari, Maqedonia e Veriut është shtet sovran, ku shqiptarët janë popullsi shtetformuese dhe kanë të gjitha rrugët dhe mundësitë të përfaqësohen. Kështu që unë nuk mendoj se i ndihmon marrëdhënies vëllazërore mes dy shteteve asnjë ndërhyrje e kryeministrave përkatës në punët e brendshme të shtetit tjetër.

Çështjet që ju prekët janë çështje që trajtohen dhe duhet të trajtohen gjithmonë nga Republika e Maqedonisë së Veriut. Shqiptarët kanë mjaftueshëm parti politike dhe mendoj se kanë më shumë se ç’duhet, për t’i përfaqësuar dhe për të shpalosur të gjitha gjërat dhe të gjitha opinionet”, u shpreh Rama.

Kryeministri shtoi se nuk e kanë parë dhe nuk do ta shohin duke bërë fushatë për asnjë parti politike në Maqedoninë e Veriut, ndërsa theksoi se as politikanët shqiptarë të këtij vendi nuk bëjnë fushatë në Tiranë apo nuk shfaqen në krah të tij për deklarata politike.

“Ju as më keni parë mua dhe as do më shihni ndonjëherë të bëj fushatë për asnjë parti politike këtu në Maqedoninë e Veriut. Dhe as keni parë ndonjëherë që politikanët shqiptarë këtu të bëjnë fushatë në Tiranë apo të dalin në foto me mua dhe të bëjnë deklarata.

Patjetër, ne kemi komunikim, të gjithë përfaqësuesit politikë të Maqedonisë jemi të gatshëm për diskutime mbi mbarësinë e punës së përbashkët, por ka një kufi që as do e shihni të kapërcehet, që i takon institucioneve shtetërore dhe shqiptarëve që kanë të drejtë të ndërveprojnë me njëri-tjetrin pavarësisht kufijve”, deklaroi Rama.


Video